Sekser Martini ‘luan’ me mbrojtje: Top 5 momentet në Kuvend sot – nga kritikat, të sharat e të pathënat

Sekser Martini ‘luan’ me mbrojtje: Top 5 momentet në Kuvend sot – nga kritikat, të sharat e të pathënat

Çështja e Komisionit Hetimor për energjinë, ka përplasur pozitën dhe opozitën në Kuvendin e Kosovës. E para kërkon Komision prej vitit 2006 e këndej, e dyta kërkon Komision për energjinë – por më specifik: çështjen e 100 milionë eurove të rrymës dhe skandalin e tashmë të njohur si sekseri i energjisë, Martin Berishaj, emrin e të cilit, në seancën e sotme, e mori në mbrojtje partia në pushtet.

Në vazhdim po i përmbledhim top-momentet nga Kuvendi, por të pangarkuara me citate, vetëm po i përfolim për juve që iu kanë ikur:

1.Partia në pushtet (VV) ka mbrojtur ambasadorin e Kosovës në Kroaci, z.Martin Berishaj – i njohur ditëve të fundit si ‘sekseri energjetik’. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar kujdes në trajtimin e çështjes, pasi ‘këtu kemi të bëjmë me shtetin slloven’. Me këtë nuk u pajtua hiç opozita. Thanë se s’kemi të bëjmë me shtetin slloven, por me Martin Berishajn e 600 mijë euroshit të GEN-it me bazë në Beograd.

2.Ramush Haradinaj i AAK-së, në fjalën e tij të parë në seancën e sotme të Kuvendit, tha se me skandalin e Martin Berishajt, u vërtetua se pse ‘Vetëvendosje që në fillet e saj ka qenë kundër çdo projekti të energjisë në vendin tonë’. Haradinaj tha se Kurti dhe VV-ja i kanë ‘refuzuar paret e presidentit amerikan për gazin dhe kanë përkrahur kompani të lidhura me Stanishiqin’. (Kritika si të Ramushit pasuan më pas nga shumë prej deputetëve të tjerë në Kuvend).

3. Fjalimi i Mimoza Kusarit futi në funksion grushtat e PDK-së: Teksa e mori në mbrojtje Martin Berishajn, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, znj.Mimoza Kusari, tha se duhet të kihet kujdes me raportimet e televizionit slloven. Ajo foli për ‘luftën hibride’ si shumë prej kolegëve të saj, që vlerësojnë se skandali është pjesë e kësaj lufte. E dikur, Kusari tha se sa për të – ajo i beson raportit të Freedom House që e quajti ‘Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin si figura të lidhura me krim e korrupsion’ sesa tv slloven që gjeti skandalin e Martinit. Pas Kusarit, fjalën e mori ministrja Albulena Haxhiu, por këtë nuk e lanë të flasë goxha gjatë, deputetët e PDK-së, duke i rënë tavolinës me grushta – shkaku i fjalimit të Mimoza Kusarit që përmendi ish-presidenti Hashim Thaçi.

4.Ministrja e Drejtësisë, znj.Albuelan Haxhiu mundi të flasë pas disa minutash nën zhurmën e grushtave mbi tavolinat e PDK-së. Ajo e tha ‘me zë të lartë’ (sic tha edhe vet: e them me zë të lartë), por edhe kështu – përnjëmend e tha me zë të lartë, se kështu disi: ‘askush që është i dyshuar, nuk do të kalojë pa u hetuar’.

5.Në mes të pikës 3 dhe 4 që i përmblodhëm më lart, ndodhi një eskalim gjuhësor në Kuvend. Shefi i deputetëve të PDK-së, z. Abelard Tahiri shau të gjithë me rob – sharje për të cilën shpejt u pendua dhe kërkoi falje.

TË PATHËNAT:

Duke qenë se mediumet kosovare janë në qendër të kritikave nga partia në pushtet për skandalin ku dyshohet se është i përfshirë në rolin e sekserit, ambasadori jonë në Kroaci, z.Martin Berishaj, si medium, bashkangjitemi në dy -tri pyetje të shpejta që kërkojnë përgjigje:

-Pse një javë pas skandalit, z.Berishaj nuk ka mohuar pagesat nga një kompani sllovene me bazë në Beograd?

-Pse zoti Berishaj nuk e ka deklaruar pasurinë në AKK?

-Pse zoti Berishaj, siç raportohet, nuk ka kaluar në filtrat e AKI-së, para se të bëhej ambasador?

-Në mjegullnajën e gjithë këtij skandali – pavarësisht fajësisë ose pafajësisë së z.Berishaj, pse nuk shkarkohet ambasadori i dyshuar për shpëlarje të 600 mijë eurove, derisa drejtësia ta thotë fjalën e saj? /D.D./Periskopi

 

 

Shpërndaje në: