Selimi: Politikë e hapur raciste nëse ka udhërrëfyes të ri për vizat

Selimi: Politikë e hapur raciste nëse ka udhërrëfyes të ri për vizat

Ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi, ka thënë se nëse vërtet ka një udhërrëfyes të ri për Kosovën është politikë raciste.

“Katër vjet pasi Kosova përmbushi 100% udhërrëfyesin më të gjatë të liberalizimit të vizave Oliver Varhelyi shpall një “udhërrëfyes” të ri për Kosovën për të përmbushur më shumë kushte për “korrupsionin” dhe “kontrabandën”. Nëse kjo është e vërtetë, le të mos jetë gabim: BE-ja tani është në prag të adoptimit të politikës së hapur raciste”, ka shkruar Selimi në Twitter.

Selimi tha se BE-ja nuk e kishte problem të miratonte lirinë e vizave me Meksikën, Hondurasin, apo edhe me Venezuelën e Maduros, por se këtë e ka me Kosovën.

“Kosova është vendi më pro BE-së në Ballkanin Perëndimor, më pak e korruptuar dhe nuk është në asnjë listë të lartë të azilkërkuesve për vite me radhë. Varhelyi thotë se holandezët dhe francezët po kërkojnë një udhërrëfyes. Kjo mund të jetë e vërtetë”.

Po ashtu, Selimi thotë se nuk ka faj për këtë zvarritje jo vetëm Holanda dhe Franca, por se të gjithë shtetet anëtare që e mbështesin këtë qëllimisht.

“Por, është BE-ja që kolektivisht është e angazhuar në izolimin e të gjithë kosovarëve në një kafaz. Nuk është holandeze. Ose franceze. Është BE-ja. Të gjithë anëtarët kolektivisht dhe të gjitha institucionet në Bruksel kanë vendosur përmes veprimeve të qëllimshme, apo mosveprimit, të na mbajnë si qen të tërbuar në kafaz”.

Shpërndaje në: