Selimi takohet me Kurtin për Vettingun: AAK pa besim që procesi të ketë sukses pa koncensus politik

Selimi  takohet me Kurtin për Vettingun: AAK pa besim që procesi të ketë sukses pa koncensus politik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me ish-ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, i cili shkoi në këtë takim si përfaqësues i AAK-së.

Zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka tha se në takimin për vettingun është paraqitur qëndrimi i AAK-së që “këtë proces e konsideron të rëndësishëm dhe i jep përkrahje”.

Mirëpo, AAK është shprehur mosbesuese që Vettingu të ketë sukses pa konsensus të plotë të brendshëm politik, pa përfshirjen e KGJK dhe KPK, pa mbështetjen e ShBA dhe BE dhe pa përfilljen në përpikmëri të qëndrimeve të Komisionit të Venedikut.

“Sidoqoftë, AAK nuk ka besim që procesi të ketë sukses pa koncensus të plotë të brendshëm politik, pa përfshirjen e KGJK dhe KPK, pa mbështetjen e ShBA dhe BE dhe pa përfilljen në përpikmëri të qëndrimeve të Komisionit të Venedikut”, tha Blaka për Express

Kujtojmë që dje, Kurti ka zhvilluar takim me të parin e PDK-së, Memli Krasniqi. Në një konferencë për media, Krasniqi tha se procesi i vettingut duhet të zhvillohet përmes kuvendit.

Ndër të tjerash, Krasniqi u shpreh se PDK mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet ne koordinim me partnerët strategjikë, shoqërinë civile dhe palët tjera të interesit.

“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias. Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, ka thënë Krasniqi dje.

Ftesën për të folur për vettingun, e refuzoi Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi sipas tyre ata kontributin e tyre do ta japin në Kuvend.

Zëdhënësja, njëherit edhe anëtarja e kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi i tha Expressit se është “e panevojshme” ftesa e kryeministrit, për t’u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, duke njohur rëndësinë e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë si dhe duke u bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, vlerëson se kontributi ynë do të ofrohet në institucionin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës. Andaj, ftesa e kryeministrit Kurti, për t`u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme është e panevojshme”, tha Halimi të mërkurën

Shpërndaje në: