‘Serbia e hekurudhave’: Çka po flitet në Beograd, në Samitin ku është edhe ministri Liburn Aliu?

‘Serbia e hekurudhave’: Çka po flitet në Beograd, në Samitin ku është edhe ministri Liburn Aliu?

Megjithëse Qeveria e Kosovës nuk ka njoftuar (deri tani), ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ndodhet në Beograd, në kuadër të Samitit për Hekurudhat të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në këtë samit ka thënë se ‘Serbia ka investuar më shumë se 600 milionë euro që nga viti 2014 për hekurudhuat’ duke e ‘marrë këtë temë shumë seriozisht në kuadër të procesit të modernizimit të hekurudhave në vendet e Ballkanit Perëndimor’, shkruan V.Novosti, përkthen Periskopi.

“Ne do të vendosim hekurudhat si transportin kryesor për pasagjerët tonë”, ka thënë Bërnabiq, duke shtuar se viti ‘2021 është viti i hekurudhave për vendet e BE-së, poashtu edhe për Serbinë, në kuadër të Agjendës së Gjelbërt’.

Edhe ministri serb i Infrastrukturës, ka lartësuar përkushtimin e Serbisë për projektin e hekurudhave.

„Ky vit është deklaruar si Viti Europian i Hekurudhave dhe se sic e kemi thënë, gjatë këtij viti ne do të kompletojmë projektin revolucionar të hekurudhave (më të madhin) në historinë serbe. Duke u lidhur me Europën përmes hekurudhave dhe duke krijuar një hapësirë të vetme hekurudhash është jo vetëm sfiduese, por në të njëjtën kohë, një ndërmarrje shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Ky samit, është një tregues se jemi të përkushtuar dhe kemi dëshirën që të lidhemi por gjithashtu se kemi potencial të madh për të forcuar bashkëpunimin tonë“, ka thënë Momiroviq.

Ndryshe, edhe Ministri i Infrastrukturës së Kosovës Liburn Aliu po qëndron për vizitë në Beograd.

Në kryeqytetin e Serbisë, Aliu nënshkroi bashkë me ministrat e pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor marrëveshje që kanë të bëjnë me lidhjen e rajonit përmes hekurudhave.

Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar paraprakisht për vizitën e ministrit kosovar në Beograd. Kjo është ndër vizitat e rralla të një zyrtari kosovar në kryeqytetin serb./Periskopi

 

Shpërndaje në: