Serbia financon futjen e mjeteve kineze të gjurmimit në Kosovë

Serbia financon futjen e mjeteve kineze të gjurmimit në Kosovë

Kosova rrezikon të kthehet në laborator për futjen e pajisjeve kineze të gjurmimit nëpërmjet Serbisë. Beogradi fshehtas po financon përpjekjet për të instaluar kamera mbikëqyrëse dhe të jashtëligjshme kineze në Kosovë, ka mësuar Shërbimi i Ballkanit i Radio Evropës së Lirë.

Autoritetet paralele serbe në Kosovë muajin e shkuar mësohet se kanë nënshkruar kontratë dhjetëra mijëra euroshe për të blerë disa kamera të sigurisë, incizues digjitalë dhe pajisje të tjera nga kompani “Zhejiang Dahua Technologies”, që është pjesë e listës së zezë amerikane, për të monitoruar shkollat në disa vende, sipas dokumenteve të siguruara.

Aty theksohet se një Zyrë e Qeverisë Serbe, që kujdeset për raportet me komunat me shumicë serbe, ka siguruar fondin.

Autoritetet qendrore të Kosovës, përfshirë Qeverinë, Policinë dhe Dogana, kanë heshtur apo kanë thënë se s’kanë informata për planet e Beogradit.

Skema besohet se mund t’i kontribuojë kompanive ndaj pranisë së të cilave Kosova ka dalë kundër. Bëhet fjalë për teknologjinë e identifikimit të fytyrës dhe teknologji tjera të bazuara në inteligjencën artificiale, të kompanive “Huawei”, “Dahua” e tjera që janë të lidhura ngushtë me Pekinin.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka mbrojtur gjithmonë Pekinin në politikën e jashtme dhe i ka lavdëruar investimet kineze, sidomos në sektorin e teknologjisë. Kina vazhdon të mos e njohë Kosovën dhe s’ka raporte diplomatike me Prishtinën.

“Nëse Kina fiton territor aktualisht dhe në të ardhmen për infrastrukturën digjitale në rajon, mund të konsiderohet si rrezik i sigurisë jo vetëm për rajonin, por edhe për SHBA-në”, ka thënë Stefan Vladisavljev i Forumit të Sigurisë në Beograd.

Kina ka qëllim të avancojë “qytetet e mençura” duke siguruar teknologji për të ndihmuar qeveritë dhe komunat që të kontrollojnë më lehtë qytetarët e pajisur me dokumentet zyrtare.

Në një përgjigje këtë javë për REL, Vladisavljev ka thënë se mendon që marrëveshja me “Dahuan” nuk është diçka e madhe, por ka shtuar se kjo tregon gjendjen e çrregullt të menaxhimit të Prishtinës mbi autoritetet në veri të Kosovës.

Institucionet paralele serbe në Gjilan kanë nënshkruar një marrëveshje më 16 dhjetor për të blerë pajisje të “Dahuas” në vlerë prej 39 mijë eurosh. Blerja u bë përmes kompanisë “Neva Company” që ishte regjistruar nga autoritetet serbe në shtator.

Aty specifikohet blerja e 196 kamerave të mbikëqyrjes të njohura si “kamera plumb”, 30 hard-drives, 30 incizues dhe 9000 metra kabllo. Kontrata e transportit, instalimit dhe operimit zgjat 30 ditë.

Ato do të shërbejnë në 30 hapësira, shumicën shkolla, në 12 zona.

“Neva” është e regjistruar me zyrë në Ranillug, sipas regjistrit serb të bizneseve. Por ajo s’është e regjistruar edhe në Kosovë.

Shpërndaje në: