Serbia i fton të rinjtë për shërbim vullnetar ushtarak, u ofron pagë mujore rreth 38 mijë dinarë

Periskopi.com Lajme

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka ftuar të rinjtë e lindur nga data 1 janar 1992 deri më 31 dhjetor 2003 të aplikojnë për shërbimin vullnetar ushtarak me armë.

Për ata që do të pranohen në shërbimin vullnetar ushtarak dhe trajnimin ushtarak për oficerët rezervë, shteti serb ofron pagë mujore prej rreth 38 mijë dinarësh (rreth 300 euro).

Po ashtu, siç shkruan gazeta serbe, “Danas”, të pranuarve u ofrohet edhe mundësia për t’u bërë pjesëtarë profesionistë të ushtrisë serbe menjëherë pas përfundimit të shërbimit ushtarak.

Për ata që janë të interesuar, Beogradi e ka përgatitur një procedurë të thjeshtuar të aplikimit.

Serbia kohët e fundit e ka orientuar fokusin në forcimin e ushtrisë, ndër tjerash, duke blerë sërish armë nga Rusia në dhjetor, dy vjet pasi u paralajmërua se do të ndërpresë furnizimin me armë nga atje.

Këto marrëveshje erdhën në kohën kur të gjithë sytë janë të drejtuar nga Moska dhe tensionet në kufi me Ukrainën, por edhe pas disa paralajmërimeve të Perëndimit për bashkëpunimin ushtarak të Serbisë me Rusinë.