‘Serbia kërkoi hapjen e arkivave të UÇK-së’: Reagime të ashpra ndaj Besnik Bislimit

‘Serbia kërkoi hapjen e arkivave të UÇK-së’: Reagime të ashpra ndaj Besnik Bislimit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në një konferencë për media ka folur për takimet dy ditore që ka pasur në Bruksel me palën serbe dhe Emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak. Bislimi tha se pala serbe është dakorduar që të hapen arkivat shtetërore. Për këtë ka pasur reagime të ashpra nga pala kosovare, njofton Periskopi.

Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku i ka reaguar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, duke thënë se kjo i bie njësoj si “të pajtohesh se Kosova është Krahinë e Serbisë”.

“Arkivat e UÇK-së kanë qenë të hapura, janë poashtu të hapura sepse nuk ka çka fshehet në to. Ato janë histori që i duhen shtetit të Kosovës. Ka eksponate të luftës, të dëshmorëve e luftëtarëve në muzeun e Kosovës.

Nëse është e vërtetë që zv.Kryeministri i Kosovës paska diskutuar dhe qenka marrë vesh me Serbinë që të “hapen” edhe arkivat e UÇK-së, është njëjtë sikur të pajtohesh se Kosova është Krahinë e Serbisë”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

Për hapjen e arkivave shtetërore ka reaguar gjithashtu edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Çitaku ka pyetur Bislimin nëse e ka fjalën për arkivat e Serbisë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas saj, arkivat për të cilën foli Bislimi tashmë janë në Hagë.

“Zv.kryeministri paska deklaruar në Bruksel se Beogradi është pajtuar t’i hapin arkivat, e aty paska thanë edhe diçka për hapjen e arkivave për UÇK-në. Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Arkivat e Beogradit për UÇK-në? Ato tashmë janë në Hagë. Arkivat e Kosovës për UÇK-në? Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në? Ju a po mendoni që me pasë pasë UÇK arkiva të tilla ato nuk kishin dalë tashmë?!!!”, shkroi Çitaku.

Ajo tha se ky dakordim mes Kosovës dhe Serbisë është grackë e rrezikshme me pasoja të frikshme.

“Kjo është një grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme. Me veprimet tuaja të papërgjegjshme tashmë keni pranuar atë për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në për vite të tëra”, ka shkruar Vlora Çitaku.

Edhe ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi, ka reaguar ndaj deklaratës se zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Selimi i ka thënë Bislimit se “arkivat e UÇK-së” janë shpikje e Beogradit.

“‘Arkivat e UÇK-së’ janë shpikje e Beogradit dhe prodhohen atje për të ushqyer propagandën antishqiptare dhe mekanizmat politik që janë krijuar nga eksponentët e afërt me Serbinë. Këtë deklaratë skandaloze e përcjell me fjalën “reciprocitet” për targa. Ky është gjithçka pos reciprocitet. Qytetarët serbë të Kosovës tashmë kanë nga dy palë targa dhe kalojnë pa problem në Serbi”, ka shkruar Selimi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Së fundi ka reaguar edhe analistja, Kimete Berisha, duke kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi dhe njëkohësisht e ka quajtur çetnik e tradhtar.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sot në një konferencë për media ka folur për takimet dy ditore që ka pasur në Bruksel me palën serbe dhe Emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak. Bislimi tha se pala serbe është dakorduar që të hapen arkivat shtetërore. Ai tha poashtu që ndërprerja e marrëveshjes për targat që ka pasur afat skandence është interpretuar nga Bashkimi Evropian si shkelje nga ana e palës kosovare.

“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1600 qytetarëve ndodhen në këto varreza për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, tha ai./PERISKOPI/

 

 

 

Shpërndaje në: