Serbia pa gjasa teorike: Deputeti Kamberi flet për kërcënimet e Vuçiqit me luftë dhe Gjykatën Speciale

Serbia pa gjasa teorike: Deputeti Kamberi flet për kërcënimet e Vuçiqit me luftë dhe Gjykatën Speciale

Ndoshta për herë të parë në histori, shqiptarët e Kosovës po e dëgjonin një fjalim frymëzues në Kuvendin e Serbisë (Asamblenë Kombëtare). Deputeti Shaip Kamberi po e denonconte politikën e regjimit të Aleksandër Vuçiqit duke mos u kapur – ashtu siç mund të pritej – thjesht në politika identitare. Në vend të kësaj, ai denoncoi qeverinë e Beogradit se po dëmtonte qytetarët e Serbisë pa dallim etnie, pra edhe serbët, duke u bërë kështu zëri më kumbues opozitar në Serbi.

Të kërkosh në makinën kërkimore “Google” për emrin e Shaip Kamberit, sygjerimi i parë që del aty është “Shaip Kamberi fjalimi”. Kjo tregon për popullaritetin e jashtëzakontë të fjalës së tij.

56 vjeçari nga Tërnovci në një intervistë ekskluzive për Periskopin është përgjigjur në disa pyetje të rëndësishme që lidhen me zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Ai ka shprehur bindjen që procesi gjyqësor në Hagë ndaj liderëve të UÇK-së do të vërtetojë dhe dëshmojë pafajësinë e tyre dhe të luftës për liri.

Po ashtu, Kamberi ka vazhduar të denoncojë Serbinë se nuk ka  bërë mjaftueshëm që të dënojë krimet e luftës të kryera në Kosovë. Ai shprehet se kompromisi me Kosovën nuk mund të ndodh deri sa Serbia nuk merr përgjegjësinë për atë që ka ndodhur.

Pas kërcënimeve të hapura nga presidenti serb Vuçiq, Periskopi e pyeti z.Kamberi nëse Kosova rrezikohej nga ndonjë agresion ushtarak i Serbisë ndërsa përgjigja e tij është sërish mjaft domethënëse.

Më poshtë keni intervistën e plotë të bërë nga gazetarja Besartë Hoti:

Periskopi:

Z.Kamberi, katër prej liderëve kryesorë të UÇK-së ndodhen të akuzuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Si e komentoni një gjë të tillë?

Shaip Kamberi:

Së pari, Gjykata Speciale është formnuar me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si e këtillë reflekton vullnetin për përballje me të kaluarën. Besoj se, pavarësisht akuzave të ngritura, kjo nuk do ta njollosë luftën e pastër të shqiptarëve brenda UÇK-së për liri të popullit të Kosovës. Besoj se procesi gjyqësor në fund do të vërtetojë këtë dhe shpresoj që secili I akuzuar të dëshmojë pafajësinë e vet dhe të luftës së drejtë për liri.

Periskopi:

Në Kosovë ka një opinion të përhapur se Serbia nuk ka bërë mjaftueshëm që të dënojë krimet e luftës të kryera nga forcat paramilitare në Kosovë. A e mbështesni një gjë të tillë?

Shaip Kamberi:

Po kjo është fakt; edhe njëzet vjet pas luftës Serbia nuk ka dëshmuar vullnet për përballje me krimet që ka kryer në Kosovë ne emër të popullit dhe shtetit serb. Askush nuk po merr guxim të flas hapur për këto krime, nuk ka vullnet për t’u zbuluar varrezat masive në të cilat gjenden trupat e civilëve shqiptarë dhe nuk ka ndonjë vullnet për kërkimfalje, pavarësisht se në retorikën zyrtare serbe, çdo ditë, dëgjojmë floskulën se “dëshiurojnë kompromis me shqiptarët”. Ky kompromis nuk do të jetë i mundur deri sa Serbia nuik merr përgjegjësinë për atë që ka ndodhur në Kosovë sikurse në vitet e aparthejdit ashtu edhe ato të luftës.

Periskopi:

Sipas jush, a ka bërë mjaftueshëm presion Bashkësia Ndërkombëtare në bindjen e klasës politike të Serbisë për të dënuar krimet e luftës?

Shaip Kamberi:

Ajo që ka bërë Bashkësia ndërkombëtare (BE) me ndërmjetësimin e vet në dialogun Prishtinë-Beograd, pavarësisht disa marrëveshjeve të nënshkruara nuk është e mjaftueshme për ta detyruar Serbinë që në mënyrë të sinqertë të përballet me të kaluarën e vet të dhunshme në Kosovë. Shporesoj që administratra e re në SHBA do të jetë më këmbëngulëse që ky dialog i filluar të përfundojë me marrëveshje për njohje të ndërsjellë.

Periskopi:

A mendoni që Kosova rrezikohet nga ndonjë agresion i ri ushtarak i Serbisë – nëse potencialisht ka përkeqësim të rrethanave politike në këtë vend?

Shaip Kamberi:

Jemi dëshmitarë se retorika serbe javët e fundit po ashpërsohet edhe më kërcënime të hapura apo figurative për një luftë me Kosovën. Padyshim se janë shqetësuese këto deklarata, që vijnë sikur nga qarqet e ndryshme ultra-nacionaliste ashtu edhe nga zyrtarë të lartë shtetërorë, edhe pse realisht, Serbia nuk ka as gjasë teorike për një ndërhyrje në Kosovë. Ajo ka nënshkruar marrëveshjetn e Kumanovës me të cilën ka pranuar që edhe ushtari dhe polici I saj I fundit të largohet nga Kosova, ajo e di se integritetin territorial të Kosovës e ruan KFOR-i, dhe një ndërhyrje ushtarake ndaj Kosovës nënkupton një luftë të re me NATO-n. Disa avionë ushtarak të blerë nga Rusia, apo pretendimet për të blerë donë nga Turqia, nuk e bëjnë Serbinë më konkurruese ne luftë me NATO-n. Kësaj duhet shtuar edhe faktin se Kosovë më nuk është e vitit 1999 dhe se Shqipëria është anëtarë e NATO-s.

Sido që të jetë, një retorikë e këtillë serbe është pengesë serioze për të pritur përparime në bisedimet e ardhshme.

Shpërndaje në: