Shala për krizën në Feronikel: Qeveria Kurti po heshtë, as nuk dëshiron të dëgjojë

Shala për krizën në Feronikel: Qeveria Kurti po heshtë, as nuk dëshiron të dëgjojë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kritikuar heshtjen e qeverisë karshi krizës që është duke e përjetuar fabrika Ferronikeli në Komunën e Drenasit. Shala tha se qeveria është duke i ndarë kompanitë në bazë të zonave elektorale.

Ai u shpreh se tashmë mbi 1 mijë punëtorë kanë mbetur në shtëpi dhe ka heshtje totale nga ana e qeverisë së Kosovës.

“Para pak ditësh saktësisht në kohën e fushatës zgjedhore një metalurgjik me mbi 1 mijë punëtorë në Ferronikël në Drenas falimentoi apo u mbyll përkohësisht, ku është qeveria në këtë relacion. 1 mijë punëtorë të cilët sot në kohë pandemie, në kohë krize e për koincidencë në kohë fushate janë në shtëpitë e tyre, një problem i madh social para të cilit qeveria jo vetëm që heshtë, por nuk donë të dëgjojë. Më thoni a ka ndodhur kund që 1 mijë punëtorë të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe qeveria nuk ekziston, ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë heshtë para një gjiganti të tillë industrial që ka qenë krenari regjionale dhe ndoshta evropiane. Si ka mundësi që qeveria t’i ndajë, t’i klasifikojë ndërmarrjet private dhe publike në kohë pandemie”, tha ai.

Shala tha se qeveria nuk duhet t’i shikojë ndërmarrjet në bazë të zonave zgjedhore, teksa tha se kjo nuk do të ndikojë në qëndrimin politik të qytetarëve të Drenasit.

Shpërndaje në: