SHBA e BE me qëndrime të ndryshme rreth planit të Kurtit për taksën

SHBA e BE me qëndrime të ndryshme rreth planit të Kurtit për taksën

Plani i kryeministrit Albin Kurti për heqjen e pjesshme të taksës ndaj mallrave serbe, nuk ka gjetur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Madje drejtori në detyrë i të gjitha shërbimeve sekrete në ShBA, njëherësh i dërguari i Presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell, ka qenë mjaft i ashpër ndaj vendimit të cilin ka paralajmëruar ta marrë Kurti.

Grenell ka thënë se Albin Kurti gabon rëndë nëse e heqë taksën pjesërisht dhe me kushte.

“Ne nuk e mbështesim masën gjysmake të kryeministrit Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të bien plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo iu bë e qartë Presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë sot”, ka shkruar Grenell mbrëmjen e së enjtes në Twitter.

Por nga ana tjetër Bashkimi Evropian që është ndërmjetësi i bisedimeve Prishtinë-Beograd që nga fillimi i tyre, e kanë përshëndetur njoftimin e Kurtit për heqjen gjysmake të tarifave ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Zyra e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka lëshuar një reagim sot lidhur më këtë çështje duke thënë se ‘mezi presin të shohin më shumë detaje’.

“Bashkimi Evropian e ka mirëpritur njoftimin se Kosova do të heqë tarifat për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. “Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar të enjten se Kosova do të heqë tarifat për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Ne e mirëpresim këtë njoftim si hap të parë dhe mezi presim të shohim më shumë detaje”, thuhet në reagimin e Zyrës së Borellit.

Edhe ambasada italiane në Prishtinë ka përkrahur idenë e kryeministrit Albin Kurti për të hequr pjesërisht taksën nga produktet serbe dhe atyre të BeH.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ka thënë se Italia inkurajon Prishtinën dhe Beogradin që t’i fillojnë sa më shpejtë bisedimet.

“Ne jemi plotësisht dakord me deklaratën e Bashkimit Evropian. Italia inkurajon Beogradin dhe Prishtinën që të rifillojnë bisedimet sa më shpejt të jetë e mundur dhe mbetet e përkushtuar për ta mbështetur këtë proces”, ka shkruar ai në Twitter.

Megjithatë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot ka bërë thirrje që sa më shpejt të zgjidhet çështja e taksës, duke thënë se kokëfortësia po rrezikon thellimin e izolimit të Kosovës dhe raportet me ShBA-të.

Presidenti ka deklaruar se nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takim me Sekretarin Pompei dhe me Këshilltarin për Siguri Nacionale, O’Brien”./Periskopi/

 

 

 

 

Shpërndaje në: