Anija iraniane largohet nga Gjibraltari

Anija iraniane largohet nga Gjibraltari

Një anije iraniane me sasi të madhe nafte, e cila ishte në qendër të një përplasjeje diplomatike mes Britanisë së Madhe dhe Iranit, është larguar nga Ngushtica e Gjibraltarit gjatë natës së të dielës.

Një faqe për monitorimin e trafikut ujor publikoi pamje të largimit të anijes nga ujërat britanike në këtë ngushticë, ku ishte duke qëndruar për gjashtë javë. Raportohet se të hënën në mëngjes, anija është drejtuar kah lindja dhe besohet se do të shkojë në Kalamata të Greqisë.

Lajmi erdhi disa orë pasi autoritetet e Gjibraltarit e refuzuan kërkesën e Shteteve të Bashkuara për sekuestrimin e anijes “Grace 1”. E mbushur me 2.1 milionë fuçi nafte, dërgesa e ngarkuar në këtë anije besohet se kushton 140 milionë dollarë.

Marina Mbretërore Britanike e kishte sekuestruar këtë anije pranë brigjeve të Gjibraltarit më 4 korrik me arsyetimin se ajo po transportonte naftë drejt Sirisë në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian kundër këtij shteti.

Ky veprim e kishte nxitur sekuestrimin e një anije britanike nga Irani në Gjirin Persik në shenjë hakmarrjeje për anijen iraniane. Këto veprime shkaktuan krizë diplomatike mes dy shteteve. Britania u kundërpërgjigj me dërgimin e një luftanije në Gjirin Persik për të ofruar më shumë mbrojtje për anijet tregtare, shkruan “The Guardian”.

 

Shpërndaje në: