ShBA-ja thotë se do të dërgojë trupa në Evropën Lindore, nëse Rusia e pushton Ukrainën

ShBA-ja thotë se do të dërgojë trupa në Evropën Lindore, nëse Rusia e pushton Ukrainën

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të dërgojnë përforcime në krahun lindor të NATO-s dhe do të vendosin sanksione të ashpra ekonomike në rast të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ky paralajmërim për Moskën erdhi disa orë para bisedimeve mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, gjithashtu do t’ia bëjë të qartë homologut rus, Vladimir Putin, se Shtetet e Bashkuara nuk do ta përjashtojnë anëtarësimin e Ukrainës në NATO në të ardhmen, siç ka kërkuar presidenti rus, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Zyrtari theksoi para gazetarëve para samitit virtual mes Bidenit e Putinit se ndërhyrja e parë ruse në Ukrainë kishte çuar në dërgimin e më shumë trupave dhe pajisjeve të Shteteve të Bashkuara në lindje të Evropës dhe se edhe kësaj radhe do të bëhej një reagim i ngjashëm, shkruan The Guardian.

“Qartazi do të ishte rasti që nëse Putini ndërhyn, do të ishte një kërkesë në rritje nga aleatët e krahut lindor dhe një përgjigje pozitive nga Shtetet e Bashkuara, që forcat shtesë, kapacitetet dhe ushtrimet të zhvillohen atje për ta garantuar sigurinë e aleatëve tanë të krahut lindor përballë atij lloi të agresionit në Ukrainë”, tha zyrtari amerikan, por bëri të qartë se Bideni nuk do të kërcënojë me reagim të drejtpërdrejtë të ushtrisë së ShBA-së.

Ai shtoi se “kundërmasat e dukshme ekonomike” nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa “do të mund t’i shkaktonin dëm të konsiderueshëm dhe të ashpër ekonomik ekonomisë ruse”.

Në anën tjetër, presidenti rus ka thënë se do të kërkojë “garanci të sigurisë” për Rusinë, përfshirë ndalimin e zgjerimit të NATO-s ose përkrahjen ushtarake për Ukrainën. Shtëpia e Bardhë ka bërë të qartë se një gjë e tillë nuk do të jetë në diskutime.

Shpërndaje në: