SHBA paralajmëron “përgjigje” ndaj testit bërthamor të Koresë së Veriut

Periskopi.com Lajme

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të hënën, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj do të përgjigjeshin me shpejtësi nëse Koreja e Veriut vazhdon me një provë bërthamore, por insiston se dialogu mbetet ende opsion.

“Ne jemi në kontakt shumë të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, duke filluar me Republikën e Koresë – gjithashtu me Japoninë dhe të tjerët – për të qenë në gjendje të përgjigjemi shpejt nëse koreano-veriorët vazhdojnë me një provë të tillë”, u tha Blinken gazetarëve.

“Ne jemi të përgatitur të bëjmë rregullime afatshkurtra dhe afatgjata në pozicionin tonë ushtarak, varësisht nga rasti,” shtoi ai.

Blinken përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk kanë “asnjë qëllim armiqësor ndaj DPRK”, emri zyrtar i Veriut, Republika Demokratike Popullore e Koresë.

“Kështu që ne do të vazhdojmë të kontaktojmë me DPRK-në. Ne jemi të përkushtuar në qasje diplomatike,” tha Blinken.

Diplomati i lartë amerikan u deklarua pas bisedimeve që pati në Uashington me homologun e tij nga Koreja e Jugut, e njohur zyrtarisht si Republika e Koresë, i cili njësoj si Blinken tha se qeveria e tij ishte gati të negocionte me Phenianin “pa parakushte”.

“Unë mendoj se Koreja e Veriut ka përfunduar tani përgatitjet për një tjetër provë bërthamore dhe mendoj se duhet marrë vetëm një vendim politik,” tha minisri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Park Jin.

“Nëse Koreja e Veriut ndërmerr një tjetër provë bërthamore, mendoj se kjo vetëm do të forcojë parandalimin tonë dhe gjithashtu sanksionet ndërkombëtare,” tha ai.

Shtetet e Bashkuara u përpoqën të ashpërsojnë sanksionet ndaj Koresë së Veriut pas testimeve të një rakete balistike në kundërshtim me rezolutat e OKB-së, por Kina dhe Rusia vendosën veto në Këshillin e Sigurimit.

Koreja e Veriut ka kryer të paktën 18 runde të testeve të armëve gjatë këtij viti, duke shfaqur zhvillimin e arsenalit të raketave bërthamore.

Në testimin e fundit, Koreja e Veriut lëshoi tetë raketa balistike me rreze të mesme veprimi, një ditë pasi Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara përfunduan stërvitjet e përbashkëta ushtarake.