SHBA rihap konsullatën për palestinezët në Jerusalem, Izraeli kundër

SHBA rihap konsullatën për palestinezët në Jerusalem, Izraeli kundër

Administrata Biden do të rihapë edhe një herë konsullatën e saj në Jerusalem që ka shërbyer si një ambasadë amerikane për palestinezët. Ndërsa lajmi është pritur mirë nga palestinezët, Izraeli ka reaguar duke thënë se kjo është një ide e keqe që mund të destabilizojë qeverinë e kryeministrit Naftali Benet.

Biden ka njoftuar një kurs tjetër marrëdhëniesh në Lindjen e Mesme, ndërsa ka në plan për të rihapur konsullatën e saj në Jerusalem. Më herët kjo konsullatë ka shërbyer de  fakto si një ambasadë për palestinezët.

Ky vendim u mirëprit nga palestinezët, teka më herët presidenti Biden dhe sekretari i Shtetit Blinken kanë folur për hapa të rinj politikë dhe diplomatikë në rajon dhe  rinovimin e kontakteve me Autoritetin Palestinez.

Ndërkohë, Izraeli e ka konsideruar një “ide e keqe” këtë nismë dhe se mund të destabilizojë qeverinë e re të kryeministrit Naftali Bennett.

“Ne mendojmë se është një ide e keqe,” tha Ministri i Jashtëm Yair Lapid në një konferencë shtypi.

“Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit dhe Izraelit vetëm, dhe për këtë arsye ne nuk mendojmë se nuk është një ide e mirë. Ne e dimë që administrata Biden ka një optikë tjetër për këtë çështje, por meqenëse po ndodh në Izrael, ne jemi të sigurt se ata po na dëgjojnë me shumë kujdes” – tha Lapid.

Administrata e mëparshme e presidentit Donald Trump sinjalizoi mbështetje për pretendimin e Izraelit mbi Jerusalemin si kryeqytetin e tij duke lëvizur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, një lëvizje që zemëroi palestinezët, të cilët duan Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm të tyre.

Presidenti Joe Biden është zotuar edhe më herët që të rivendosë lidhjet me palestinezët ndërsa mbështet një zgjidhje me dy shtete.

Shpërndaje në: