“SHBA s’mund të jetë ndërmjetësuese, është palë në dialog”

“SHBA s’mund të jetë ndërmjetësuese, është palë në dialog”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të mbështesin Bashkimin Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje në kuadër të dialogut Kosovë Serbi, por nuk mund të jenë ndërmjetësues të dialogut.

Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend, pasi sipas tyre, SHBA-ja është përkrahëse e Kosovës dhe ndërmjetësuesi duhet të jetë neutral.

Pas deklarimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, se Bashkimi Evropian duhet t’ia dorëzojë portofolin  presidentit amerikan, Joe Biden, për marrëveshjen finale për njohje reciproke Kosovë – Serbi, njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë që SHBA-ja nuk mund të jetë ndërmjetësuese e dialogut.

Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, tha për Radio Kosovën se SHBA-ja është palë në dialog pasi mbështesin Kosovën:

“Nuk mundet që SHBA-ja të jetë ndërmjetësues sepse SHBA-ja është palë, pra, përkrahin Kosovën në dialog.  BE është ndërmjetësues sepse ka një qëndrim neutral karshi Kosovës dhe raporteve me Serbinë dhe është palë përfikte për ndërmjetësim.”, tha Spahiu për Radio Kosova

Edhe analisti politik, Blerim Burjani, vlerëson se SHBA-ja mund të jetë vetëm  mbështetëse e Bashkimit e Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje në dialog dhe nuk mund të jetë ndërmjetësuese.

“Shtetet e Bashkuar të Amerikës mund të jenë vetëm përkrahëse të Bashkimit Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje, dhe nuk mund të këtë mandat për ndërmjetësimin direkt të dialogut.”, tha Burjani.

Të enjten është mbajtur takimi i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut dhe i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.

Shpërndaje në: