SHBA vret me dron liderin e Al Kaidës, Ayman al-Zawahiri

Shtetet e Bashkuara kanë vrarë liderin e Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri në një sulm me dron, sipas burimeve të CNN, përkthen Periskopi.
Zawahiri, i cili sapo mbushi 71 vjeç, kishte mbetur një simbol i dukshëm ndërkombëtar i grupit, 11 vjet pasi SHBA vrau Osama Bin Laden. Në një moment, ai veproi si mjeku personal i Bin Ladenit.
Qeveria amerikane ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij. Presidenti Joe Biden pritet të dalë e të flasë mbi “një operacion të suksesshëm kundër terrorizmit” kundër al-Kaedës në Afganistan, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë të hënën.
“Gjatë fundjavës, Shtetet e Bashkuara kryen një operacion kundër terrorizmit kundër një objektivi të rëndësishëm të Al Kaedës në Afganistan. Operacioni ishte i suksesshëm dhe nuk pati viktima civile,” tha një zyrtar i lartë i administratës./CNN/Periskopi/