Shefi i BE’së kërkon marrëveshje Kosovë-Serbi, Kurti: Nuk e neglizhojmë dialogun, por nuk e lëmë anash agjendën tonë

Periskopi.com Lajme

Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i ka dorëzuar sot Raportin e Progresit kryeministrit Albin Kurti.

Në një konferencë të përbashkët për media, Szunyog është deklaruar edhe rreth dialogut mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se BE-ja kërkon marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, por ka thënë se kjo varet nga vullneti i dy qeverive.

Kryeministri Kurti në anën tjetër ka deklaruar se kur kanë qenë zgjedhjet, janë zotuar dhe ju kanë premtuar qytetarëve se do të kenë prioritet drejtësinë dhe punësimin, por që nuk do të neglizhojnë dialogun.

“Prioriteti i Qeverisë së Kosovës janë punësimi, drejtësia dhe pandemia. Pra, zhvillimi ekonomik, rritja ekonomike e punësimi në njërën anë, lufta kundër korrupsionit, reforma e gjyqësorit dhe drejtësia në anën tjetër dhe natyrisht kriza shëndetësore me menaxhimin e pandemisë. Nuk i kemi neglizhuar takimet në Bruksel, kemi shprehur gatishmëri konstruktive për dialog, mirëpo çështja e dialogut nuk është e drejtë ta zëvendësojë as luftimin e pandemisë COVID-19, as zellin e madh të Qeverisë për rritje ekonomike, as luftën kundër korrupsionin e as për një system të mirëfillt të drejtësisë siç e ka Bashkimi Evropian”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se Qeveria nuk mund të lërë anash agjendën për të cilën janë votuar masivisht nga qytetarët, por ka thënë se dialogun me Serbinë nuk e neglizhojnë.