Shefi i Eulex-it takohet me drejtuesit e KOK-ut

Shefi i Eulex-it takohet me drejtuesit e KOK-ut

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur sot në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.

E pranishme në takim ishte edhe presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës (KPRK), Njomëza Emini.

Drejtuesit e KOK-ut, duke e falënderuar shefin Wigemark për vizitën dhe kontributin që po e japin në sundimin e Ligjit në Kosovë, e kanë njoftuar me sukseset e KOK-ut, me theks të veçantë medaljet e arta olimpike të fituara në Lojërat Olimpike Tokio 2020, si dhe çështjen e boksit, me ç’rast ekipi i boksierëve tanë nuk u lejuan të hyjnë në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që po mbahet në Beograd, njofton KOK, transmeton Periskopi.

Shefi i EULEX-it, Wigemark, e ka uruar presidentin Krasniqi për medaljet e fituara, derisa ka shprehur brengën e tij për rastin e ndalesës së bërë nga Serbia për delegacionin tonë të boksit, duke uruar që ky rast të jetë i fundit.

Duke u interesuar për gjendjen e sportit të Kosovës, konkretisht KOK-ut, federatave sportive dhe KPRK-së, shefi i EULEX-it, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për të dhënë donacione të ndryshme për KOK-un dhe federatat tona sportive, për çka u falënderua nga drejtuesit e KOK-ut, Krasniqi e Aliti, si dhe presidentja e KPRK-së, Emini.

Edhe presidentja e KPRK-së, Njomza Emini, e njoftoi me procesin nëpër të cilin po kalon institucioni që drejton, duke shprehur shpresën se paralimpistët tanë do të garojnë në Lojërat Paralimpike Paris 2024.

Në fund të takimit, u ndanë edhe dhurata mes dy palëve.

Shpërndaje në: