Shefi i Policisë tregon kush është angazhuar deri me tani për rastin tragjik në Gllogjan

Shefi i Policisë tregon kush është angazhuar deri me tani për rastin tragjik në Gllogjan

Pas ngjarjes së rëndë në Gllogjan ku mbetën të vrarë tre persona, në mesin e tyre edhe dy nxënës, ende nuk ka asnjë të dyshuar lidhur me rastin, kështu të paktën kanë deklaruar nga Policia e Kosovës.

Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, ka thënë se gjithë hetuesit e krimeve të rënda janë angazhuar në këtë operacion.

“Gjithë hetuesit e krimeve të rënda janë angazhuar në këtë operacion policor e në marrje në pyetje të dëshmitarëve potencial e njerëzve që mund të jenë të lidhur në ndonjë rrethanë apo tjetër me viktimat ose me rastin. Kemi dy-tri pista, siç e potencuam edhe dje, që potencialisht mund të jenë motive të ndryshme. Kemi biseduar jo vetëm me Stacionin e Autobusëve, por edhe me njerëzit që kanë pasur kontakt me viktimat apo shoferin, dhe me gjithë personat potencialisht që kanë mundur të kenë kontakt apo informata lidhur me rastin”, ka thënë Mehmeti.

Pas ceremonisë mortore së dy të rinjve që u vranë të premten në Gllogjan të Deçanit, kryeministri Albin Kurti me ministra ka takuar në Stacionin Policor në Deçan, drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Kreu i ekzekutivit tha se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për të gjetur dorasin apo dorasët. Ai ka potencuar edhe një herë se qeveria do të ofrojë shpërblimin prej 20 mijë euro, atyre që ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

“Mësova që i kanë shtuar përpjekjet po rritet sasia e informacionit, mirëpo ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48 orësh, fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen, por nuk po mungon angazhimi. Janë shtuar numri i zyrtarëve, të cilët po merren me hetimin dhe hulumtimet në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellë para drejtësisë vrasësin apo vrasësit”, tha Kurti pas këtij takimi.

Edhe pas 48 orësh, prej kur ka ndodhur sulmi ndaj autobusit që po barte nxënës, nuk ka të dyshuar.

Shpërndaje në: