Shefi i zyrës së BE-së në ditën e Evropës: Institucionet ta kenë prioritet sundimin e ligjit

Shefi i zyrës së BE-së në ditën e Evropës: Institucionet ta kenë prioritet sundimin e ligjit

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, dhe se alternativë tjetër, përveç vazhdimit të ecjes përpara në rrugën e saj evropiane, nuk ka.

Duke shënuar Ditën e Evropës dhe përvjetorin e Deklaratës Schuman që krijoi themelet për paqen e qëndrueshme midis kombeve evropiane, ambasadori Szunyog vuri në dukje se BE-ja nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe se agresioni rus kundër Ukrainës, i ka bërë edhe më të rëndësishme  përpjekjet e përbashkëta për integrimin evropiane të rajonit.

“Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Pavarësisht nga çdo sfidë, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt me Kosovën, siç është tani”, tha Szunyog.

Duke theksuar mbështetjen e BE-së, ai bëri thirrje për angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për të bërë përparim në rrugën e saj evropiane.

“Sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës”, tha Szunyog dhe shtoi se mediat duhet të jenë të lira nga çdo presion dhe gëzojnë sigurinë dhe lirinë e shprehjes.

Meqenëse viti 2022 është Viti Evropian i Rinisë, shumica e aktiviteteve të organizuara nga BE-ja në Kosovë për të festuar Ditën e Evropës kanë në shënjestër të rinjtë dhe fokusohen në energjinë e gjelbër, mjedisin dhe digjitalizimin.

Shpërndaje në: