Shën Valentini që përfundoi me vrasje në Lipjan

Shën Valentini që përfundoi me vrasje në Lipjan

Dy persona dolën para gjykatës për vrasjen e Urim Dushullovcit në Ditën e Shën Valentinit.

Ishte ora dy e mëngjesit të 14 shkurtit të vitit 2015, kur një përleshje fizike në një restorant të fshatit Banullë të Lipjanit përfundoi me vrasjen e Urim Dushullovcit dhe plagosjen e Agim Selmanit.

Të akuzuar lidhur me këtë vrasje, Besnik e Bajram Bedrolli u paraqitën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, por në mungesë të gjyqtares Nora Bllaca e cila është emëruar në Gjykatën e Apelit, gjykimi u shty për një datë tjetër.

Kryetari i trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva njoftoi të akuzuarit dhe avokatët e tyre si dhe avokatin e palës së dëmtuar se nuk është përmbushur kushti ligjor për mbajtjen e seancës për shkak të mungesës së gjyqtares Bllaca.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës  më 14 shkurt 2015 rreth orës 02:00 në fshatin Banullë të Komunës së Lipjanit Urim Dushullovci kishte dalë për të festuar me shokët e tij në një lokal.

Pas një mosmarrëveshje mes Besnik e Bajram Bedrollit dhe Urim Dushullovcit te dera e lokalit në fillim ndodh fjalosja, e pastaj Urim Dushullovci por edhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla e Skender Ademi sulmohen me mjete të forta dhe me kondak të revoles.

Duke përshkruar zhvillimin e mëtejshëm të incidentit, në aktakuzë pretendohet se kur  Urim Dushullovci përdor armën e tij për të evituar  sulmin, i pandehuri Besnik Bedrolli me revolen e tij në afërsi prej rreth një metri shtie katër herë në drejtim të Dushulllovcit, i cili nga plagët e marra vdes në vendin e ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i plagosur me lëndime të rënda mbetet edhe i dëmtuari Agim Selmani, ndërsa të pandehurit ikin nga vendi i ngjarjes.

Seanca e radhës do të mbahet më 6 korrik.

Shpërndaje në: