Sherifi: Zhvillimet do ta nxjerrin në sipërfaqe demagogjinë elektorale të qeverisë Kurti

Sherifi: Zhvillimet do ta nxjerrin në sipërfaqe demagogjinë elektorale të qeverisë Kurti

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, nuk ka pritje të mëdha nga qeveria Kurti.

Ai është shprehur i bindur se zhvillimet politike do ta nxjerrin në sipërfaqe demagogjinë elektorale të kësaj qeverie.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se qytetarët që nuk e kanë votuar këtë qeveri e dinë se çfarë fshihet pas premtimeve të saj. “Mbi 22 mijë qytetarë të Kosovës që kanë mbështetur Nismën Socialdemokrate dhe të gjithë votuesit e forcave tjera politike opozitare, duke përfshirë edhe ata që kanë refuzuar të votojnë, e kanë ditur fare mirë se çfarë fshihet prapa premtimeve të tyre, prandaj kemi bindjen e plotë se zhvillimet do ta nxjerrin në sipërfaqe demagogjinë elektorale”, ka deklaruar Sherifi.

Ai ka kritikuar qeverinë për masat e reja kundër Covidit, duke treguar se çfarë duhet të bëhet për menaxhimin e pandemisë.

“Për të luftuar me sukses kundër Covid-19 qeveria duhet të zbatojë një strategji të dyfishtë: të ndërmarrë masa në mënyrë që të pamundësohet përhapja e këtij virusi dhe të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme diplomatike për sigurimin e vaksinave, si rrugë e vetme për ta ulur rrezikun me të cilin ballafaqohen edhe qytetarët e Kosovës. Fatkeqësisht masat e mbylljes totale të gastronomisë dhe bizneseve të ndryshme do të kenë vetëm pasoja ekonomike, ndërsa vendosja e orës policore në oraret e parapara nuk mund të sjellë rezultate pozitive”, është shprehur Sherifi. Sipas tij, opozita në këtë mandat do ta monitorojë punën e qeverisë dhe të ofrojë alternativa që do të ishin më të mira se projektet qeverisëse.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, në këtë proces qeveria duhet të jetë transparente. “Për Kosovën dhe të ardhmen e saj nuk ka fare rëndësi nëse qeveria e Kurtit e radhitë dialogun si prioritet të saj të parë apo të dhjetë. Për Kosovën dhe qytetarët e saj është e rëndësishme që Kurti të bëjë atë që në vazhdimësi ka kërkuar nga paraardhësit e tij: të ndërtojë një proces transparent dhe që Kosova të dalë fituese nga procesi i dialogut”, ka deklaruar Sherifi.

Shpërndaje në: