Shesheli ka paralajmëruar vizitë në Kosovë. A do të arrestohet?

Shesheli ka paralajmëruar vizitë në Kosovë. A do të arrestohet?

Kryetari i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë për të marrë pjesë në një tubim të degës së partisë së tij në Mitrovicë të veriut.

Por, ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka deklaruar se tentimi që Shesheli për të hyrë në Kosovë do të rezultojë me arrestimin e tij, raporton Koha.net.

E për të penguar hyrjen e tij në territorin e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme ka marr një vendim i cili u është përcjellë të gjithë komandantëve dhe shefave të operativës në stacionet policore në veri të Mitrovicës.

Në atë vendim, të cilin e ka publikuar mediumi serb “Pravda”, Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, ka kërkuar nga komandantët dhe shefat e operativës në veri që të zbatojnë në mënyrë strikte urdhrin e MPB-së për t’ia ndaluar hyrjen Sheshelit në Kosovë.

Ky është emaili i plotë i Hotit drejtuar komandantëve dhe shefave të operativës në veri të Mitrovicës:

“Të nderuar komandantë dhe shefa të operativës,

Në vijim mund të gjeni vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

I drejtohet të gjithë pjesëtarëve të stacioneve policore në veri të Mitrovicës, që:

Në mënyrë strikte të zbatojnë urdhrin për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë, Vojisllav Sheshelit.

Zyrtarët e inteligjencës nga të gjitha stacionet të punojnë në mbledhjen e informacioneve në lidhje me informacionin e mësipërm, dhe të njëjtat menjëherë t’i paraqesin pranë zinxhirit komandues.

Patrullat dhe njësitet e komunikacionit të shtojnë kontrollet ndaj rrugëve magjistrale dhe atyre dytësore për të zbatuar qëllimet operacionale.

Urdhri hyn në fuqi menjëherë.

Ju lus që të përgjigjeni me shkrim në këtë email për të konfirmuar se e keni pranuar urdhrin”.

 

Shpërndaje në: