Shitja e votave: A e dinë çka shesin, ata që e bëjnë këtë gjë?

Shitja e votave: A e dinë çka shesin, ata që e bëjnë këtë gjë?

Tashmë të pasurit janë të bindur, se “gjithçka mund të blihet me para”, duke blerë kështu edhe votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës!

Në komunën e Istogut, posa ka përfunduar rivotimi dhe janë përmendur blerje e shitje të votave! U fol për shuma 20, 50, 100 dhe 500 euro të cilat janë dhënë për blerjen e votave të qytetarëve! Ka dëshmi që edhe me kamionë kanë dërguar gjera ushqimore nëpër shtëpi në këmbim të votave!
Por a e dinë qytetarët se çka shesin, kur e shesin votën?

Si duket disa votën e tyre e shohin vetëm si një shenjë të thjeshtë, që mund të jepet për çdo kënd, e sidomos për ata që ju ofrojnë më shumë në këmbim të votës së tyre! Por në të vërtetë, vota përfaqëson personalitetin e votuesit, karakterin e tij, mendimin e tij, krenarin e tij dhe zgjedhjen e tij, se si do të duket pushteti i ardhshëm i bazuar në votën e votuesit. Vota nuk është vetëm interes personal i votuesit, por duhet të jetë edhe interes i përgjithshëm i një shoqërie dhe shtetit në përgjithësi.

Në sistemin demokratik, e që nuk është më i miri, vota e qytetarit, përcakton rrugën nëpër të cilën do të udhëtojnë fëmijët e tyre.

Pra, a e dinë çka shesin, ata që e shesin votën e tyre? A e dinë që ata e shesin personalitetin e vet? A e dinë që pushteti i shef vetëm si objekt tregu, se sa do blihen dhe sa do shiten, a mund të gjejnë më lirë apo jo?

Nga kjo del që shitja e votës jo që është shumë e dëmshme dhe krim kundër të ardhmes, por edhe nënçmim dhe poshtërim i personalitetit të një njeriut.

Me këtë dëshmojnë se janë shumë lehtë të manipuluar dhe se mendimi i tyre për pushtetin e ardhshëm, e që në rastin konkret quhet votë, nuk vlen asgjë, në të vërtetë ajo sot po vlen me një çmim të caktuar, por personalisht mendoj që çdo gjë që ka një çmim, nuk vlen asgjë.

Andaj, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe istogasve në veçanti, që në të ardhmen vota e tyre mos të ketë çmim, cilido qoftë ai, por le të jetë votë e cila do kontribuoj në mirëqenien e se ardhmes. Mos të shitemi për një vend pune, apo për një shumë të caktuar të hollash, t’i tregojmë çdo pushteti, se edhe nëse e ka pasurinë e gjithë Botës, personaliteti jonë nuk blihet me para dhe se ne jemi të zot që të vendosim për të ardhmen tonë.

Autori është historian

Shpërndaje në: