Shkatërrohet perandoria e kokainës së shqiptarit
Një 25 vjeçar shqiptar i quajtur Asmirald Miraka, ka importuar miliona paund drogë të cilësisë së parë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa lënda narkotike është shpërndarë kryesisht në Midlands.
Policia britanike shkatërroi perandorinë e tij këtë vit. Miraka së bashku me tre korrierët e tij shqiptarë kishin krijuar makina të përshtatura posaçërisht për të transportuar 1.5 milionë paund kokainë dhe heroinë rreth qytetit të Wolverhampton dhe Nottingham.
Pjesë e rrjetit ishin edhe tre persona të tjerë, të gjithë prapa hekurave. Shqiptarët pjesë e rrjetit të Mirakës, ishin gjithashtu Desar Asllani, Arjol Cerriku dhe Aleks Asllani, të cilët shërbenin si korrierë.
Ata kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Britani të Madhe, duke shpërndarë disa kilogram kokainë në mes të muajit janar dhe korrik të vitit 2015.
Më shumë se 10 kg kokainë dhe heroinë u kapën së bashku me një pistoletë dhe armë gjahu, municione si dhe 100 000 paund para të gatshme.
Miraka i ndryshonte vazhdimisht telefonat celularë për të shmangur gjurmët, por zyrtarët duke përdorur taktika të fshehta monitoruan katër shqiptarët dhe tre shitësit e drogës në Midland.
Gjithsej, 13 persona janë dënuar nga drejtësia britanike.
Kështu, Miraka është dënuar me 16 vite e 3 muaj burg, Desar Asllani, 30-vjeç, është dënuar me 10 vite e 9 muaj burg, e po kaq është dënuar edhe Aleks Asllani, 28-vjeç si dhe Arjon Verriku, 30-vjeç. Të gjithë personat janë dënuar me mbi 132 vite burg gjithsej./oranews/



