Shkëlqimi dhe rënia e shokut Ben

Shkëlqimi dhe rënia e shokut Ben

140 kartona u ngritën mëngjesin e datës 22 korrik në parlamentin shqiptar, ca me hir dhe ca me pahir, për të miratuar reformën e shumpërfolur të drejtësisë, që pritet të fusë në rrjetën me vrima të mëdha cironka të vogla.

Për shumëkënd kjo ngjarje ishte kulmi i legjislaturës së shkuar në shtëpinë e ligjeve të çdo shqiptari, por se më shumë se ngritja e kartonëve, herë nën “kërcënimin” e aleatëve amerikanë dhe herë sepse kështu bën shumica, “qershia mbi tortë” ka qenë opozitarizmi i Ben Blushit.

Zë i fortë në parlament, elokuent, orator, Blushi ishte i vetmi që shokut Rama herë pas here i fuste ndonjë “gozhdë” nën këpucë, por vetëm kaq.

Gjithçka nisi nga dita kur shoku Ben pasi dështoi me LMN-ë e famshme, vendosi të “rizgjohej” dhe të godiste “Rilindjen”.

Nga kritikat për shokët dhe shoqet e partisë në mbledhjet e grupit të PS-së, tek zgjedhjet për kryetarin e ri brenda llojit, Blushi bëri shumë dhe aspak për të marrë edhe njëhërë admirimin e shqiptarëve.

Të përballesh me një tufë të irrituar socialistësh anë e kënd Shqipërisë nuk ishte aspak e thjeshtë, gjë që Blushi ia arriti me sukses.

U përball me Ramën në parlament, duke e mposhtur gojarisht shumë herë, me bandat socialiste në Elbasan, aty ku shpëtoi paq pa marrë ndonjë karrike kokës, prej tyre apo ndoshta edhe prej (çiftes së jevgut, drejtuar një ish- pedagogut tim), por sërish Beni ia doli “të ecte vetë”.

Po teksa Rama triumfonte me “Rilindjen”, Blushi solli në jetë LIBRA-n.

Pati shumë nga ata të rinj që besuan në vlerat dhe virtytet e Blushit, duke u bërë një LIBRA (ndër ta edhe një miku im gazetar), por ashtu siç ndodh rëndomtë, në Shqipëri partitë lindin si kërpudhat mbas shiut, por fikën si “flaka e kashtës”.

Në muajt e parë të jetës LIBRA pati dy “prindër” mjaft shembullorë, zëra të fortë në parlament, që kujdeseshin për rritjen e shëndetshme, shokun Ben dhe shoqen Mimoza.

Teksa një shkrimtar dhe një shkencëtare bënin opozitë të fortë në parlament, LIBRA rritej dhe po bëhej gati të përballej me sfidën e parë në jetë, zgjedhjet e 25 qershorit.

Për shumëkënd nga ne kjo ishte një sfidë që do tregonte nëse LIBRA ishte një zë ndryshe apo një gënjeshtër e radhës, që për fat të keq rezultoi e tillë.

Sistemi zgjedhor që “gropos” partitë e vogla na kishte lënë të kuptohej se shoku Ben dhe shoqja Mimoza shanset për të qenë sërish ne parlament, i kishin të pakta dhe ajo që shtrohej natyrshëm ishte nëse LIBRA-t do ishin të fortë edhe jashtë sallës së ligjeve?!

Dhe ajo që pritej ndodhi, nga qershori deri dje LIBRA luftonte me veten e vet, asnjë deklaratë nga selia e “verdhë” në lidhje me “peshqit” që po kërkohen në Shqipëri, asnjë zë opozitar!

Shoku Ben rallë herë hidhte ndonjë “shashkë” në facebook, duke i lehtësuar akoma më shumë punë edhe qeverisë “Rama 2”.

Një ditë të “zymtë” LIBRA-t u zgjuan, jo për të bërë opozitë, por për luftë brenda llojit.

Harmonia e shokut Ben dhe shoqes Mimozë u fik sa “hap e mbyll sytë”.

Lindi një luftë e re për pushtet brenda partisë, ajo që vetë Blushi kishte premtuar se nuk do ndodhte kurrë, ai humbi qetësinë dhe bashkë me të edhe “dashurinë” për politikën.

Për të dytën herë pas LMN-së ai i braktisi “shokët”, bëri atë që di të bëjë më mirë, hodhi në letër një mori arsyesh, i la LIBRA-t, për tu rikthyer tek librat.

Shkëlqimi i shokut Ben si politikan u venit për herë të dytë në pak vite.

Beni sërish nuk ia doli të “eci vetëm” në politikë, i flaki tutje disa mijëra LIBRA për tu rikthyer tek “dashuria e vjetër.

Gojët e liga thonë që do bëhet drejtor, do e “godasë” sërish Ramën me fjalën, diku në një media që u kthye në opozitare!

“Të kanë treguar aq shumë përralla me ujqër dhe me kuçedra more Beni, sa s’të kap gjumi natën, por janë thjesht përralla…”

Shpërndaje në: