Shkëlzen Gashi foli për krimet e UÇK-së më 24 prill, ditën kur Prokuroria dorëzoi aktakuzën për Thaçin e Veselin

Shkëlzen Gashi foli për krimet e UÇK-së më 24 prill, ditën kur Prokuroria dorëzoi aktakuzën për Thaçin e Veselin

Rastësi apo jo, dy ngjarje që kanë tronditur opinionin në Kosovë kanë ndodhur në të njëjtën ditë, më 24 prill të këtij viti.

Derisa e para është transmetuar live, e dyta është mësuar me dy muaj vonesë. Shkëlzen Gashi dhe Prokuroria e Gjykatës Speciale në të njëjtën datë kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me krimet e luftës në Kosovë, të pretenduara se janë kryer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 24 prill të këtij viti, Shkëlzen Gashi, duke qenë Këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti, ka deklaruar se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, se ata dyshohen që kanë vrarë 1000 civilë serbë, dhe se kushdo që ka kryer krime duhet të dënohet. Gashi, po ashtu, kishte pohuar se Dick Marty nuk është anti-shqiptar, ndërsa kishe zbuluar se gjatë fushatës në zgjedhjet e fundit nacionale e ka këshilluar Albin Kurtin që të mos dalë kundër Gjykatës Speciale.

Këto deklarata të Shkëlzen Gashit, të cilat ai i ka bërë gjatë një interviste për Frontal të T7, janë bërë pikërisht në ditën kur Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatë aktakuzën e ngritur për krime lufte ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dy prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gashi kishte shkaktuar reagime të mëdha dhe deklaratat e tij u quajtën skandaloze, ndërsa pas presionit të madh publik Kryeministri Albin Kurti ishte detyruar ta shkarkonte atë nga detyra e këshilltarit, por nuk ishte shprehur kritik ndaj tij.

 

 

Shpërndaje në: