Shoqata e Gazetarëve merr vendim të mos mbrojë Baton Haxhiun nga Liburn Aliu

Shoqata e Gazetarëve merr vendim të mos mbrojë Baton Haxhiun nga Liburn Aliu

Drejtori i Klan Kosovës Baton Haxhiu, mbrëmë në një paraqitje televizive në median e tij, tha se ka informacione që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe presidenti i vendit Hashim Thaçi janë takuar edhe dy herë të tjera përveç takimit zyrtar, prej 4 minutash në zyrën e Presidentit.

Gazetari Baton Haxhiu që njihet edhe për afërsi me presidentin Thaçi, tha se megjithatë nuk e di se çfarë kanë biseduar dyshja Thaçi-Kurti në këtë takim.

“Z. Thaçi dhe Z. Kurti janë takuar dy herë. Dhe kanë biseduar gjatë. Ata e dinë se çka kanë folur, unë nuk e di përmbajtjen, por megjithatë janë takuar gjatë. Janë treguar korrekt, nuk e kanë bërë publike”, ka thënë Haxhiu.

I ashpër ndaj këtyre deklaratave është shprehur anëtari i kryesisë së LVV-së Liburn Aliu, i cili eskaloi edhe me  kërcënime ndaj  Baton Haxhiut.

Përmes një postimi në Facebook, Aliu përveç që e ka quajtur spiun gazetarin Haxhiu, ka nënkuptuar në rrethana të tjera, edhe ‘qerim hesapesh’ me shqelma, për deklaratën të cilën Aliu e ka cilësuar gënjeshtër.

“E ka humbë Batoni udhën në oborr. Traumë të pashërueshme i ka shkaktu Albini. Rrena e tij e fundit në lidhje me gjoja takimin e Albinit me Hashimin, tregon se në çfarë niveli ka devalvu ky, madje edhe si spiun. Për këtë rrenë të lodhtë, Stanishiqi shkelma prej zyrës e kish qitë. – Marsh bitango”, ka shkruar Aliu.

Por, institucioni që thirret për të mbrojtur gazetarët, AGK (Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës), nuk e ka ndërmend të reagojë ndaj kërcënimit të anëtarit të LVV-së ndaj gazetarit Baton Haxhiu.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, i ka thënë Periskopit se e kanë diskutuar këtë çështje në AGK.  Ajo ka njoftuar se është mbajtur edhe një votim brenda anëtarëve të bordit për të reaguar ose jo ndaj fyerjeve e kërcënimeve të Liburn Aliut, por se sipas saj, anëtarët kanë votuar kundër.

“Bordi me shumicë votash ka vendosë kundër reagimit”, tha kryetarja e AGK-së për Periskopin.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje përmes zëdhënësit të saj Arlind Manxhuka i ka quajtur të pëvërteta pretendimet e gazetarit Baton Haxhiu për takime të fshehta në mes Thaçit e Kurtit.

Nga ana tjetër, Haxhiu ka mbrojtur të vërtetën e tij, duke i sugjeruar Albin Kurtit që ta njoftojë edhe anëtarësinë e partisë së tij për takimet me presidentin./Periskopi/

Shpërndaje në: