Shoqata e Prokurorëve pas uljes së pagave: Do ta ndjekim penalisht Qeverinë

Shoqata e Prokurorëve pas uljes së pagave: Do ta ndjekim penalisht Qeverinë

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka kërkuar anulimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për përgjysmimin e pagave të prokurorëve.

Të enjten, në një njoftim për media, kjo shoqatë ka bërë të ditur se e mbështet vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, për reduktim të punëve në sistemin prokurorial.

“Kjo shoqatë përkrah vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës të marrë dje në takimin e vetë të jashtëzakonshëm për reduktimin e punëve të prokurorive vetëm me shërbime esenciale, për pezullimin e të gjitha format të bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe për veprimet tjera të që parasheh vendimi i KPK-së”, thuhet në njoftimin e Shoqatës.

Ata kanë paralajmëruar se do ta kontestojnë vendimin e Qeverisë përmes rrugëve ligjore.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës njofton opinionin publik se në koordinim me Këshillin Prokurorial të Kosovës do të ndërmerr veprime konkrete për kontestimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve, përmes rrugëve ligjore dhe organeve gjyqësore vendimmarrëse”, thuhet në njoftim.

Kjo Shoqatë ka paralajmëruar se do të shqyrtojë edhe shkeljet e mundshme të dispozitave të Kodit Penal nga ana e Qeverisë.

“Gjithashtu, do të shqyrtohen edhe shkeljet e mundshme të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe për hapat lidhur me këtë çështje opinioni do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në: