Shpallet fajtor, por lirohet nga dënimi për aksidentin e shkaktuar ku i vdiqën dy vëllezërit
Jeton Ibrahimi është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, për rrezikim të trafikut publik, mirëpo i njëjti është liruar nga dënimi.
Sipas aktgjykimit të shpallur të premten nga gjykatësja Drane Simani, lirimi i të akuzuarit nga dënimi është bërë për arsye se konsideron se dënimi në këtë rast është i panevojshëm, pasi tha se pasojat e kanë goditur aq rëndë edhe vetë të akuzuarin.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 24 nëntor 2021, Ibrahimi e ka pranuar fajësinë.
Sipas aktakuzës, në tetor të 2019, rreth orës 22:40, në rrugën Gjilan-Ferizaj, në fshatin Budrike e Epërme, deri sa drejtonte automjetin e markës BMW 530 D, ngjyre hiri metalike, me targa 06-513-DM, nga pakujdesia shkel Ligjin për Rrëgullat e Trafikut Rrugor nga neni 48 dhe neni 53 paragrafi 1, respektivisht duke qenë se i pandehuri nuk e përshtat shpejtësinë dhe kushtet e rrugës.
Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri me të arritur tek kthesa në të majtë humb kontrollin mbi automjetin dhe ashtu duke rrëshqitur kalon në shiritin e kundërt të qarkullimit dhe me pjesën e djathtë të mesit të dyerve të automjetit të tij godet automjetin “Seat Leon”, me targa BU019-dz, në pjesën e përparme të tij, të cilën e drejtonte E.S i cili në momentin kritik ishte duke lëvizur nga Kllokoti në drejtim të Gjilanit, më ç’ rast rezulton me vdekjen e dy personave SH.I. dhe F.I, të cilët ishin pasagjerë në veturën e të pandehurit si dhe lëndime trupore pësojn N.A dhe E.S, të cilët për shkak të lëndimeve detyrohen të kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional të Gjilanit-Qendra Emergjente.
Me këtë i akuzuari po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9, në lidhje më paragrafin 6 e 1 të Kodit Penal, është e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi