Shpërthen dhuna pas puçit në Sudan, disa të vrarë pas të shtënave të ushtrisë

Shpërthen dhuna pas puçit në Sudan, disa të vrarë pas të shtënave të ushtrisë

Së paku tre persona raportohet të kenë vdekur dhe rreth 80 të tjerë të jenë lënduar, pasi ushtarët hapën zjarr në drejtim të protestuesve që po e kundërshtojnë puçin ushtarak në Sudan.

Protestuesit dolën rrugëve, pasi forcat e armatosura e larguan pushtetin civil, arrestuan udhëheqës politikë dhe e shpallën gjendjen emergjente të hënën, shkruan BBC.

Raportohet se ushtarët kanë shkuar shtëpi më shtëpi në kryeqytetin Khartoum për t’i arrestuar organizatorët e protestave.

Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar puçin në Sudan. Shtetet e Bashkuara ia bllokuan këtij shteti 700 milionë dollarë ndihma.

Udhëheqësi i puçit, Gjeneral Abdel Fattah Burhan, e fajësoi luftën politike për veprimin ushtarak. Udhëheqësit civilë dhe drejtuesit e ushtrisë kanë pasur mosmarrëveshje që nga koha kur u rrëzua nga pushteti ish-presidenti Omar al-Bashir, rreth dy vjet më parë.

Të hënën në mbrëmje, një numër i madh i protestuesve dolën rrugëve të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të Sudanit për ta kërkuar kthimin e pushtetit civil. Një protestues i plagosur u tha gazetarëve se ushtria e ka qëlluar në këmbë afër komandës qendrore.

Shpërndaje në: