Shpëtojnë 600 mijë euro të buxhetit të Kosovës

Shpëtojnë 600 mijë euro të buxhetit të Kosovës

Pak minuta para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, u hoq nga rendi i ditës pika katër.

Në këtë pikë ishte planifikuar të diskutohej për ndarjen e më shumë se gjysmë milioni euro për kompaninë private “Euromaks”.

Gazeta inFokus, para fillimi të mbledhjes publikoi dokumentin me të cilin  kjo kompani i ka kërkuar ndihmë Qeverisë së Kosovës për mjete financiare që do të përdoreshin për rimëkëmbjen e biznesit.

Por, rendi i ditës në këtë mbledhje është ndryshuar pa ndonjë paralajmërim duke hequr nga diskutimi kërkesën për pagesë të afro gjysmë milioni euro ndaj kompanisë private.

Kërkesa për ndihmë e kompanisë “Euromaks” nga Peja i ishte dorëzuar ekzekutivit dy javë më parë, me datë 05.02.2019, ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i Haradinajt për ta futur në rend dite dhe obligimi i institucioneve përgjegjëse për t’ia ndarë paratë.

Kështu dëshmojnë dokumentet që publikoi gazeta inFokus, në bazë të së cilave Ministria e Financave obligohet të paguaj 600 mijë euro nëse miratohet e plotë kërkesa e kompanisë.

Kjo kompani ka arsyetuar kërkesën e tyre, duke thënë se “Kosova në mungesë të rrjetit të gazit dhe në mungesë të vazhdueshme të prerjeve drunore, ka përdorur qymyrin që po përbën ndotësin masiv”.

“Ne si subjekt prodhuesi kemi për bazë prodhimin e peletit, i cila nuk ndotë ambientin dhe krijon mbase bazën e largimit nga përdorimi i Qymyri si lëndë djegëse”, thuhet në letrën që i kanë dërguar kryeministrit Haradinaj.

Shpërndaje në: