Shqipëria dhe Kosova do kenë ambasada të përbashkëta në Azi dhe Afrikë

Shqipëria dhe Kosova do kenë ambasada të përbashkëta në Azi dhe Afrikë

Shqipëria dhe Kosova do të krijojnë një Sekretariat për të thelluar bashkëpunimin mes tyre. Këtë theksuan dy ministret e Jashtme, ajo e Shqipërisë Olta Xhaçka dhe ajo e Kosovës, Donika Gërvalla, në një takim zyrtar në Tiranë.

Sekretariati do të shërbejë për realizimin e marrëveshjeve që janë firmosur deri më sot mes dy vendeve dhe atyre që do të nënshkruhen në të ardhmen.

Gjithashtu Shqipëria dhe Kosova do të kenë pika të përbashkëta diplomatike në disa zona si Afrika dhe Azia.

Shqipëria dhe Kosova do kenë ambasada të përbashkëta

Ministrja Xhaçka pas takimit tha se biseduan për përmbushjen e detyrave të lëna nga takimi dy kryeministrave Rama-Kurti më 27 shtator, ku do të ngrihet një Sekretariat i përbashkët si një strukturë operative dhe do të jetë një mekanizëm efikas për ndjekjen dhe realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri tani dhe që do të nënshkruhen në të ardhmen.

“Do të ketë shtim të diplomacive të përbashkëta në zona si Afrika dhe Azia dhe ndërthurja e punës së diplomatëve të Shqipërisë dhe të Kosovës në ambasadat ekzistuese. Kemi qene avokatja më e pakompromis për Kosovën, do të ngremë zërin për të dhe kemi lobuar dhe kritikuar hapur padrejtësisë që i është bërë Kosovës nga Brukseli për mos liberalizimin e vizave”, tha ajo.

Kurse ministrja Gërvalla tha se do të bëhet një bilanc i mirë i bashkëpunimit dhe një strategji e qartë se ku duam ta shohim Kosovën dhe Shqipërinë në të ardhmen.

“Nuk ka tema që nuk mund të preket në bisedat tona dhe gjatë javëve të fundit gjuha e Serbisë është ashpërsuar shumë. Duhet të jemi të kujdesshëm që këtë paqe të brishtë që kemi në rajon ta forcojmë dhe të gjithë së bashku të ndikojmë që të mos cenohet stabiliteti. Kosova e ka të qartë orientimin në BE dhe NATO dhe është skeptike ndaj koncepteve konkurruese ndaj BE”, shtoi Gërvalla.

Shpërndaje në: