Shqipëria në hall me zjarret, 10 vatra në 24 orëshin e fundit

Shqipëria në hall me zjarret, 10 vatra në 24 orëshin e fundit

Emergjencat Civile kanë dhënë informacione për situatën e zjarreve në pyje. Përgjatë 24 orëve të fundit ka pasur 10 vatra zjarri në pyje në Vlorë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Berat me dëme materiale. Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë megjithë vështirësitë e terrenit. Për fikjen e flakëve në të gjithë operacionet janë angazhuar mbi 50 forca zjarrfikëse, 14 automjete, 20 forca të pyjores si dhe banorët e zonës.

QARKU BERAT
Në fshatin Bogovë, Çorovodë ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të vështirë malor zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë për shuarjen e tij shkuan dhe banorë të zonës. Për pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe pisha. Sot në mëngjes vatra e zjarrit është riaktivizuar përsëri dhe forcat zjarrfikëse po punojnë në vendngjarje dhe sipas informacioneve të fundit zjarri është vënë nën kontroll.

QARKU FIER
• Në fshatin Gjorgos, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pisha. Forcat zjarrfikëse për shkak të terrenit të thyer për shuarjen e zjarrit kanë përdorur mjete rrethanore. Në ndihmë të tyre shkuan edhe 10 forca nga Drejtoria Pyjore. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 4 ha me shkurre, ferra dhe pisha.

• Në fshatin Zhamë, Lushnje ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse u angazhuan dhe banorë të zonës si dhe 8 forca nga Drejtoria Pyjore Lushnje. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 3 ha shkurre, ferra dhe disa ullinj të rinj.

• Në lagjen “29 Marsi”, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, si dhe rrezikohej qendra e banuar. Shërbimi vendor i zjarrfikësve ka shkuar në vendngjarje dhe ka shuar zjarrin plotësisht. Për pasojë u dogj një sipërfaqe prej 2 dynymësh me shkurre dhe ferra.

• Në fshatin Zhupan, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Megjithë ndërhyrjen u dogj një sipërfaqe 2 dynym shkurre, ferra dhe pjesërisht 10 rrënjë ullinj të rinj.

QARKU VLORË
• Në fshatin Armen, Selenicë ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. 2 automjete zjarrfikëse dhe 15 forca u angazhuan për shuarjen e flakëve. Pas një operacioni që zgjati rreth 3 orë zjarri u shua plotësisht, por u dogj 1 ha me shkurre ferra dhe disa ullinj.

• Në fshatin Zvërnec, Vlorë flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre dhe pisha, çka solli djegien e një sipërfaqe rreth 4 dynym me shkurre dhe pisha.

QARKU SHKODËR
• Në fshatin Gruemirë, Malësi e Madhe ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, por rrezikohej edhe qendra e banuar. Zjarrfikëset e Malësisë së Madhe fikën zjarrin brenda pak minutash duke mos lejuar përhapjen e flakëve në banesa. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 3 dynymësh me shkurre dhe ferra.

• Në fshatin Koplik i Sipërm, Malësi e Madhe ra zjarr dhe u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me bimë medicinale.

QARKU DURRËS
Në Gjiri i Lalzit, në afërsi të stacionit të trenit, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Pas një operacioni që zgjati rreth një orë zjarri u fik, por u dogj rreth 1 dynym me shkurre dhe ferra.

Shpërndaje në: