Shqipëria pas tetë viteve të marrjes së statusit e Maqedonia e Veriut pas 17 viteve – Si erdhën deri te çelja e negociatave

Shqipëria pas tetë viteve të marrjes së statusit e Maqedonia e Veriut pas 17 viteve – Si erdhën deri te çelja e negociatave

Shqipëria pas tetë viteve të dhënies së statusit kandidat, e Maqedonia e Veriut pas 17 viteve arritën që sot të çelin negocitatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dita historike nisi me një takim trepalësh Edi Rama – Dimitar Kovaçevski – Ursula Von Der Leyen, ndërkohë u ngritën për herë të parë flamujt e dy shteteve lart para selisë së BE’së në Bruksel. Por cilat ishin pengesat dhe rrugëtimi deri në këtë momentum…

Progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian kishte ngecur pas refuzimit për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarsim tri herë rradhazi. Brukseli kishte këmbëngulur që të miratohen ligjet për Gjykatën e Lartë, Shërbimin Civil dhe reformën e procedurës parlamentare, që lidhen me zbatimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e drejtësisë. Sipas Komisionit Evropian miratimi i tre ligjeve do t’ i krijonte një shans të ri shtetit shqiptar, shkruan Periskopi.

Në qershor të 2006-tës, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim dhe Asocimit, e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2009. Kjo marrëveshje zëvendësoi marrëveshjen e mëparshme me Komunitetin Ekonomik Evropian mbi tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik dhe atë tregtar, nënshkruar në maj të vitit 1992.

Objektivi i kësaj qasje të re politike të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhet me rritjen e stabilitetit rajonal dhe parapërgatitjen e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Në dhjetor të vitit 2010, hyri në fuqi marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave, duke lejuar qytetarët shqiptarë të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen.

Në 2009-tën, Shqipëria gjithashtu paraqiti kërkesën e saj zyrtare për antarësim në Bashkimin Europian. Komisioni Evropian paraqiti një Opinion (në vitin 2010), me kërkesën e Këshillit Europian në lidhje me aplikimin për anëtarësim, duke vlerësuar se Shqipëria kishte ende për të përmbushur 12 prioritetet kyçe, në mënyrë që të arrinte një shkallë të nevojshme të pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit .

Në tetor të vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE, në varësi të përfundimit të reformave, veçanërisht në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike.

Në qershor të vitit 2014, Këshilli Europian i dha Shqipërisë statusin e kandidatit. Marrja e statusit të vendit kandidat shënon një hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi reflekton ecurinë e reformave të ndërrmara dhe i hap rrugë procesit të plotë të aderimit të vendit në BE.

Hapi tjetër i radhës në këtë proces ishte hapja e negociatave (bisedimeve) për anëtarësimin në BE, i kushtëzuar nga përmbushja e plotë e 5 prioriteteve kyçe si:

  1. Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar
  2. Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë
  3. Lufta kundër korrupsionit
  4. Lufta kundër krimit të organizuar
  5. Mbrojtja e të drejtave të njeriut

Procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut

Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, fillimisht ishte bllokuar nga Greqia, e cila kontestonte emrin e shtetit.

Marrëveshja me Athinën për ndryshimin e emrit, Maqedoni në Maqedoni të Veriut, u arrit më 17 qershor 2018. Por, me këtë marrëveshje nuk u zhbllokua integrimi evropian i këtij vendi pasi Franca bllokoi procesin me kërkesën për ndryshimin e metodologjisë së anëtarësimit për të gjitha vendet që i përkasin zgjerimit të BE-së.

Bullgaria fqinje ishte pengesa e radhës, e cila në nëntor 2020 vendosi veton ndaj Shkupit, duke kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të hapura, që kanë të bëjnë kryesisht me gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.

Mbajtja e konferencës së parë pason miratimin e dokumentit të njohur si “Propozimi francez”, që çoi në heqjen e vetos bullgare, por Sofja mbante të drejtën e bllokimit të procesit në fazat e mëtejme, nëse pala maqedonase nuk i përmbahej propozimit apo një protokolli që dy vendet e .

Sot, kur gjithçka u finalizua, kryeministri Edi Rama  meritat ia la veçanërisht ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.

’Falënderoj Ursulën e cila dinte si të luftonte për BE dhe Ballkanin Perëndimor, që vendet aspiruese të shkojnë përpara. Në ndërkohë, dua ta falënderoj një tjetër zonjë gjermane, Angela Merkelin. Pa të nuk do ishim këtu sot. Do doja t’i urojë gjithë të mirat. Falënderime shkojnë për Macron dhe ekipit të tij që kanë punuar pa u lodhur.”, tha ai.

Është një kënaqësi e madhe që pas 17 vitesh pritje, sot më në fund po fillojmë negociatat. Po hapim perspektiva të reja për shtetin dhe qytetarët dhe ngadalë por sigurt po i bashkohemi familjes së madhe evropiane, e cila ka qenë synimi ynë strategjik me dekada,tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Kurse, presidentja e KE’së, Ursula Von Der Leyen Von der Leyen uroi hapjen e negociatave për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ‘’Popujt tuaj e meritojnë’’./PERISKOPI/

 

 

Shpërndaje në: