Shqipëria zgjedh firmën e gruas së Toni Bler përballë Greqisë në Hagë për detin

Shqipëria zgjedh firmën e gruas së Toni Bler përballë Greqisë në Hagë për detin

Shqipëria ka kontraktuar një kompani britanike për t’u përfaqësuar në Hagë përballë Greqisë lidhur me çështjen e kufirit detar.

Kështu tha Artur Meçollari, ish-anëtar i grupit negociator për kufirin detar

Ish-ushtaraku tregoi se kompania londineze ‘Omnia Strategy’ e kontraktuar nga Ministria e Jashtme në korrik të 2021, ka arritur në konkluzionin se Shqipëria rrezikon të humbasë vijën e drejtë bazë, që do të thotë sipërfaqe detare e humbur.

Kjo kompani ligjore drejtohet nga Cherie Blair, bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, i cili gjithashtu ka punuar si këshilltar i qeverisë “Rama”.

Kjo pasi, sipas tij Shqipëria nuk duhet të kishte shkuar pa kushte përballë Greqisë në një gjykatë ndërkombëtare.

“Çfarë do prodhohet pas kontratës përbëjnë sekret, pasi do të japin teknika dhe taktika që do të përdorim në Gjykatë. Edhe kjo kompani ka arritur në një konkluzion, që jemi nxituar që vendosëm të shkojmë në Hagë pa kushte. Duhet të kishin vendosur kushte. Duhet të çonim vetëm çështje që nuk i kishim zgjidhur”, tha Meçollari në Euronews Albania.

Moderatorja Jonida Shehu tha se informacioni lidhur me këtë marrëveshje nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Ministria e Jashtme, edhe pas korrespondencave të gjata përmes e-maileve, me pretendimin se çështja përbën sekret shtetëror.

Por burime ekskluzive të emisionit konfirmojnë ekzistencën e një marrëveshjeje mes kompanisë londineze dhe shtetit shqiptar lidhur me çështjen e kufirit detar me Greqinë.

Rreth dy vjet më parë, Shqipëria dhe Greqia vendosën t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufirit detar mes dy vendeve në bazë të ekspertizës dhe të të drejtës ndërkombëtare të detit.

Shpërndaje në: