SHSKUK bëhet me pajisje të reja të laparaskopisë

SHSKUK bëhet me pajisje të reja të laparaskopisë

Avancimi i aparaturave dhe metodave mjekësore në shëndetësi po ec me hapa të mëdhenj dhe tani edhe Kosova ka nisur të zë hapin me këto shërbime, tha sot ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, me rastin e përurimit të 5 laparaskopëve të ri në vlerë 350 mijë euro për nevoja të QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme.

Ministri Ismaili tha se e gjitha kjo po bëhet e mundur falë luftës kundër korrupsionit dhe ri-orientimit të fondeve.

“Sot po përurojmë pajisjet e reja të cilat do të rrisin cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve mjekësore në Kosovë. Ky modernizim i shërbimeve mjekësore do të shkoj në të mirë të pacientit dhe profesionistëve shëndetësorë”, tha ai.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i SHSKUK-së Basri Sejdiu, tha këto nuk janë vetëm pajisje, por një funksionalizim i shumë shërbimeve në shëndetësinë kosovare.

“Në vazhdën e modernizimit të institucioneve tona publike, kjo aparaturë tashmë edhe është montuar, një në kirurgji abdominale dhe një në neurologji. Ky mjet na ndihmon që t’u ikim intervenimeve klasike në kirurgji, me prerje të mëdha. SHSKUK-ja ka pasur vetëm një laparaskop të stërvjetëruar i cili ka pasur përdorim të limtuar”, tha ai.

Laparaskopët e blerë për nevoja të SHSKUK-së janë dy për Kirurgjinë Abdominale, një për Gjinekologjinë, një për Urologjinë dhe një për Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës.

Laparaskopi është një pajisje për intervenime kirurgjike me prerje minimale. Avantazhet e këtyre ndërhyrjeve janë të mëdha. Zvogëlon shumë hemorragjinë (gjakderdhjen), shkurton kohën e qëndrimit në spital nga 1 javë apo më shumë në 24 orë. Intervenimi me laparaskop zvogëlon dhimbjen, shkurton kohën e rehabilimit, etj.

Shpërndaje në: