Shtëpia e Bardhë ka një thirrje për Rusinë në lidhje me Ukrainën

Shtëpia e Bardhë ka një thirrje për Rusinë në lidhje me Ukrainën

Shtëpia e Bardhë të premten i bëri thirrje Rusisë që t’i ulë tensionet me Ukrainën, duke thënë se i ka ngritur drejtpërdrejt edhe për grumbullimin ushtarak të Moskës.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të kemi shqetësime serioze rreth aktiviteteve ushtarake ruse dhe retorikës së vrazhdë ndaj Ukrainës dhe i bëjmë thirrje Moskës që t’i ulë tensionet”, tha para gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Në anën tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, të enjten tha se Perëndimi po i merr shumë lehtësisht paralajmërimet e Rusisë për të mos i kaluar “vijat e kuqe”, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Të premten, Kremlini tha se këto komente janë përgjigje për veprimet “provokuese” të NATO-s, përfshirë armatosjen e Ukrainës. Ukraina është ankuar për rritjen e aktivitetit ushtarak rus afër kufirit të përbashkët prej 1944 kilometrash.

Pavarësisht listës në rritje të mosmarrëveshjeve, Kremlini ka mbajtur kontakte të nivelit të lartë me Uashingtonin dhe vazhdimisht ka folur për një samit të mundshmë mes Putinit dhe homologut të tij amerikan, Joe Biden, pas takimit të tyre në Zvicër në qershor, për të cilin Putini ka thënë se ka krijuar hapësirë për përmirësim të raporteve.

Shpërndaje në: