Shteti bllokon insulinat në OSHP: Ministria realizon tender një burimor për insulinat

Shteti bllokon insulinat në OSHP: Ministria realizon tender një burimor për insulinat

Shteti i rrezikoi didaktiket. Tash e më shumë se një vit, tenderi për insulinë është bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP, derisa qeverisë nuk po i ngutët të zgjedhë drejtuesit e këtij institucioni për shkak që po i bënë kalkulimet politike për të dërguar njerëzit e saj në Bord, shkruan Periskopi.

Tenderi për furnizim me insulinë, i vlerës rreth 7 milionë euro ishte bllokuar MSH-së në OSHP që nga viti i kaluar. Hetuesit policor dyshuan në këtë proces dhe nisën hetimet për këtë punë.

Tash, duke parë që tenderi ka mbetur i bllokuar në “Gjykatën e tenderëve” për shkak të ankesave, prokurimi i ministrisë ka vepruar urgjentisht duke e rekomanduar për kontratë me procedurë të negociuar, pa lejuar konkurrencë, kompaninë të cilën e kishte rekomanduar edhe herën e parë.

“Furnizim me Insulina Analoge nga Lista Esenciale”, kështu quhet tenderi për të cilin u rekomandua për kontratë kompania “Meditech”. Kohëzgjatja e marrëveshjes vlen vetëm për tre muaj dhe tenderi është ndarë në dy pjesë. Fiks 1, 362, 500 euro është vlera e parave që do t’i jepet kësaj kompanie. Për Lot 1 – Insulinë analoge me veprim të shpejtë, shiringë e parambushur, 100IU ml, 3ml, vlera e përgjithshme e kontratës 212 500,00 euro.

Për Lot 2 – Insulinë analoge bifazike (premix) me veprim të shpejtë dhe të mesëm, shiringë e përmbushur, 100 IU ml, 3ml. Vlera 1. 150 000,00 euro.

Kontrata është planifikuar të nënshkruhet të hënën me datë 15 Maj.

Meqenëse Ligji i Prokurimit Publik në këtë rast ka paraparë që oferta duhet të jetë e hapur, prokurimi i ministrisë nuk ka mundur të hapë një tjetër ofertë të hapur, pasi një të tillë e ka në procedurë, por është stopuar në OSHP për shkak ankesave. Në këtë rast nuk lejohet që procedura të udhëhiqet me negocime, por prokurimi i ministrisë ka bërë kërkese emergjente në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për ta lejuar një gje të tillë, duke konsideruar që situata është shumë emergjente. KRPP-ja e ka lejuar, por i ka kërkuar ministrisë që ta ulë sasinë e insulinave, rrjedhimisht edhe të shumës së parave. Pra, siç ka mësuar Periskopi MSH-ja synonte që kjo kontratë të jetë për 6 muaj në një vlerë prej ofro 3 milionë euro.

Nëpërmjet një procedure të hapur, Ministria e Shëndetësisë në muajin dhjetor 2020 kishte filluar planifikimet për blerjen e insulinave analoge në vlerë prej mbi 7 milionë euro.  Vlera e përgjithshme e parashikuar e tri Loteve për 24 muaj është 7,024,056.00 euro.

Kompania “Pharma Leader” ishte shpallur fituese për lotet 1 dhe 3, të cilat kapnin vlerën e rreth 5 milionë eurove.

Ndërsa kompania tjetër “Meditech” ishte shpallur fituese për lotin e dytë, në vlerë prej 913 mijë eurosh.

Por, pas një ankese të kompanisë “Meditech”, që kishte autorizim për marketing, lënda ishte kthyer në rivlerësim dhe asaj i ishte dhënë tenderi, i cili më pas përfundoi në OSHP.

Kompania “Pharma Leader” e cila ka deponuar një ankesë në OSHP, me pretendimet se ajo është eliminuar padrejtësisht. Në ankesë, kjo kompani e ka pranuar se produkti i saj nuk ka paralele të regjistruar në Kosovë, andaj duhet të importohet bazuar në udhëzimin administrativ për thjeshtimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale të cilat nuk kanë paralele të regjistruara në Kosovë.

Kompania “Pharma Leader” pretendon se MSH-ja, duke e shpallur fituese kompaninë tjetër, e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, pasi kjo kompani kishte ofertuar për këto dy lote për 400 mijë euro më pak.

Më pas policia e Kosovës kishte konfirmuar se ka filluar hetimet lidhur më krejt procesin e këtij tenderi.

Vlen të theksohet se kompania “Meditech” është favorizuar edhe në të kaluarën me tender një burimor. /Periskopi/

Shpërndaje në: