Shteti i përshtatet familjes së Margarita Kadriut

Shteti i përshtatet familjes së Margarita Kadriut

Insajderi ka zbuluar se qeveria e koalicionit PDK-LDK ka ndryshuar bazën ligjore për licencimin e terminaleve në mënyrë që të jetë e përshtatshme për kompaninë “City Park”, në pronësi të Ruzhdi Kadriut, babait të Margarita Kadriut. Ndryshimi ka ndodhur vetëm dy muaj para votimit të Hashim Thaçit për president.

Margarita Kadriu po bënte më shumë se katërmbëdhjetë muaj prej se kishte dhënë doreheqje nga Partia Demokratike e Kosovës.
Por, më 26 shkurt të këtij viti, kishte vendosur që të qendronte në sallën e Kuvendit për t´i bërë kuorumin Hashim Thaçit, gjatë votimit për president. Deputetja e pavarur kishte vendosur që publikisht t´i bënte këtë favor Thaçit.
Por një favor të madh kishte përfituar edhe biznesi i familjes së saj. Gjërat në prapaskenë kishin lëvizur në favor të kompanisë “City Park”.
Insajderi ka zbuluar se Qeveria e koaliconit PDK-LDK, vetëm dy muaj para se të votohej për Thaçin, kishte ndryshuar bazën ligjore për t´iu përshtatur kompanisë “City Park“.
Kjo kompani në pronësi të Ruzhdi Kadriut, babait të deputetes Margarita Kadriu, mori licencën për terminal të mallrave në fillim të vitit 2016.
Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës, nënshkroi në dhjetor të vitit 2015 udhëzimin e ri administrativ për licencimin e terminaleve. Kriteret në këtë udhëzim janë më të lehta. Plotësohen nga kompania “City Park”. Kriteret e përcaktuara në udhëzimin e vjetër, të vitit 2013, ishin të paarritshme për këtë kompani.
Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë përgjigje për Insajderin lidhur me kriteret e udhëzimit të ri që i përshtaten kompanisë së Kadriut. Ministri Lutfi Zharku ka refuzuar kërkesën për intervistë të Insajderit. Kjo ministri ka konfirmuar vetëm faktin se terminali i mallrave “City Park”, është licencuar më 2016 dhe se kjo licencë ka afat validiteti deri më 2021.
Përgjigje nuk ka dhënë edhe deputetja Margarita Kadriu. Insajderi ka dërguar pyetje në e-mailin e deputetës si dhe në e-mailet e bizneseve në pronësi të familjes Kadriu.

Shpërndaje në: