Shtimja e çliruar, dy dreka te kryetarit 1200 euro

Shtimja e çliruar, dy dreka te kryetarit 1200 euro

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka shpenzuar 1.200 euro për dreka zyrtare në pesë muajt e fundit, prej kur mori këtë post.

Në një raport të siguruar nga KOHA, specifikohet se shpenzimet janë bërë për dy dreka brenda tri ditësh, më 21 dhe 23 dhjetor.

Të dy drekat zyrtare janë shtruar në të njëjtin restorant, “Lisi” më Shtime dhe e para kushtoi 800 euro, kurse dyta 400 euro.

Opozita i ka quajtur shpërdorim i parasë publike, kurse vetë kryetari Aliu, i ka arsyetuar, duke thënë se nuk ishin dreka apo darka, por “shpenzime të tjera” e që për to, sipas tij, nuk kanë gjetur ndonjë kod buxhetor për t’i arsyetuar.

Adelina Beqaj, këshilltare në Shtime nga radhët e PDK-së ka thënë se në Komitetin për Politikë e Financa ka kërkuar pasqyrën financiare të shpenzimeve nga Zyra e kryetarit, por nuk e ka marrë ende.

“Është shqetësuese se si kryetari Aliu në restaurant ‘Lisi’ më 21.12.2021 hanë darkë në vlerë prej 800 euro, po ashtu më 23.12.2021 kryetari Aliu hanë darkë 400 euro. Pra për vetëm për dy darka, kryetari Aliu i ka shpenzuar 1.200 euro. Kryetari ka gënjyer para qytetarëve se ka zero shpenzime për dreka e darka. Pra këto tashmë janë të regjistruara edhe në dokumentin zyrtar të shpenzimeve”, ka thënë Beqaj.

Ajo edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit e ka pyetur kryetarin Aliu për këto shpenzime.

“Kryetar, a ke hëngër mish të ‘krokodilit apo çfarë mishi ke hëngër në këto darka”, pati pyetur ajo.

Këto shpenzime kanë ngjallur edhe reagime të tjera te partia opozitare PDK, që deri para pak muajsh ishte në pushtet.

Nëpërmjet një reagimi të martën, dega e këtij subjekti në Shtime, ka kërkuar llogaridhënie nga kryetari Qemajl Aliu.

“Dega e PDK-së në Shtime, kërkon llogaridhënie nga kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, i cili ka mashtruar publikisht qytetarët përmes deklaratave të tij në mbledhjen e Kuvendit, i cili ka deklaruar se ka zero shpenzime nga ai. Partia Demokratike e Kosovës Dega në Shtime, është e shqetësuar rreth deklaratave të pavërteta dhe tendencioze të kryetarit të Komunës së Shtimes të dhëna në Kuvend, pasi që dokumentet zyrtare tregojnë të kundërtën e asaj që ka deklaruar”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Aliu, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të premten, ka thënë se mjetet kanë shkuar për ngjarje të tjera.

“Unë si kryetar i komunës nuk e kam bërë asnjë shpenzim për dreka e darka, ato 1200 euro do t’i përmendi për hir të transparencës. Më 14 dhjetor 800 euro janë ndarë për ditën e betejës së lavdishme të Pashtrikut dhe 400 euro të tjera janë ndarë për promovimin e librit të shkrimtarit Banush Imerit. Zyra e financave nuk ka gjetur mënyrë tjetër përveçse ato mjete t’i adresoi te zyra e kryetarit”, ka sqaruar Aliu.

Shpërndaje në: