Si e vlerësojnë ekspertët e sigurisë takimin Kurti-Stoltenberg

Periskopi.com Lajme

Ekspertët e sigurisë në vend e vlerësojnë të rëndësishëm takimin e nesërm të kryeministrit Albin Kurti me sekretarin e NATO-së, Jens Stoltenberg. Sipas tyre, ky takim do të jetë mesazh i qartë për palën kosovare dhe serbe se zgjidhja e vetme është dialogu e jo përçarja dhe dhuna.

Takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, me kreun e NATO-s, njohësit e sigurisë e konsiderojnë si mesazh të qartë se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes së përhershme. Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për Radio Kosovën se situata e tensionuar në veri të vendit javët e fundit e sidomos për reciprocitetin, tregon që sekretari Stoltenberg, dëshiron të dërgojë mesazhin e qartë të dy palët që dialogu është alternativa e vetme.

“Sekretari i NATO-s po dëshiron që të përçojë një mesazh për të dy palët që të ulen dhe të rikthehen në tavolinën e bisedimeve dhe kështu të gjendet një zgjidhje optimale e cila nuk na çon në konflikt apo tensionim të situatës. Ky takim është në vazhdën e takimeve që bashkësia ndërkombëtare i bënë si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë që zgjidhja e vetme alternative e tyre është që çdo gjë të shkojë nëpërmjet dialogut”, ka deklaruar Shala për Radio Kosovës.

Edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, e vlerëson tejet të rëndësishëm takimin e nesërm të Kurtit me Stoltenbergun. Sipas tij, edhe në këtë takim do t’i bëhet e qartë Serbisë së në rast të ndonjë agresioni të mundshëm serb në veri, NATO, do ta mbrojë Kosovën.

“Në këtë takim do të bëhet me dije që çdo lojë, mendoj në kuptimin e ngritjes së pozicionit luftarak, do të këtë pasoja të paparashikueshme, pra, në rënd të parë për Serbinë por edhe për të gjitha vendet e tjera që synojnë ta prishin paqen në Ballkanin Perëndimor”, tha Ibishi.

Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel, vjen disa javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.