Si i priu gruaja me shami Ylberit: Momente interesante nga Parada e Krenarisë

Periskopi.com Lajme

Edhe në shtet, edhe në familje! Me këtë sllogan nisi Parada e Krenarisë sot në Prishtinë. Pjesëtarët e komunitetit LGBTI shumë krenarë dolën të kërkojnë të drejtat e tyre. Bashkë me ta edhe përfaqësues të shoqërisë civile, deputetë, ministra, ambasadorë e qytetarë të tjerë.

Dukshëm u vërejt mos prezenca e kryeministrit Albin Kurti e presidentes Vjosa Osmani , të cilët mbuluan aktivitete të tjera, por nuk dolën të marshojnë. Madje kur jemi tek presidentja, kemi heshtje të saj edhe në çështjen e Kodit Civil dhe martesave të gjinisë së njëjtë, shkruan Periskopi.

Të kthehemi direkt tek marshi i sotëm. Plot ngjyra, me melodi muzikore e kostume interesante nga pjesëmarrësit. Mbi të gjitha me mesazhe të fuqishme.

”Jo familje që të dhunon, por familje që të pranon” 

”Fjalët e njerëzve knej hynë e knej dalin. Ne jemi vetëvetja”, është deklarata e Çerkica Rexhepit për Periskopin, një transgjinor që po kërkon veç respektim të të drejtave të tij si njeri.

Ndër të parët në sheshin ‘Skënderbeu’ arriti ambasadori amerikan, Jeff Hovenier. Përçoi mesazhin e respektimit të të drejtave të LGBTI+.

Shpresoj që nuk do të bëhem rrëfimi i sotëm, por do të shohim kolegët e mi, pjesëtarë të shoqërisë civile, qytetarët e Kosovës duke marshuar. Do ta them sërish, të drejtat e LGBTI+, janë të drejta të njeriut”, tha ai.

Pas orës 12’të arritën ministret Albulena Haxhiu e Artanë Rizvanolli. Pak më vonë edhe Hajrullah Çeku. Nuk munguan figura të tjera si Mimoza Kusari-Lila, Dimal Basha, Fitore Pacolli, Atifete Jahjaga e Vlora Çitaku.

 

Gruaja me shami i prinë Ylberit!

Me telefon në dorë, hap pas hapi përcillte paradën Sanije Sadiku. Një grua me shami  incizonte aktivitetin e besa edhe po valëvite flamurin shtatë ngjyrësh në shesh. Për një moment edhe nisi të vallëzonte me një pjesëtare të marshit. Ishte moment interesant.

Megjithatë, doli se Sanija nuk kishte ‘haber’ çka po ndodhte. Këtë e tregoi vet ajo para mikrofonit të Periskopit tek pasi gazetarja ia sqaroi qëllimin e paradës dhe pse krejt ata njerëz ishin mbledhur aty.

“Unë kesh qaty t’u nejt në park edhe i pashë policinë edhe  mendova që paska ndodh diçka. Edhe t’u shkru me do shoqe në grup në telefon e dëgjova zërin muzikës, kur e pash u bashkëngjita. Nuk kam ditë asgjë tetës.  Se unë jam që tre netë t’u flejt këtu në park, qetu  në shesh, nuk kam shtëpi timen. Burri më ka vdekë, edhe fëmija. Unë jam e Preshevës. Asesi nuk kisha marrë pjesë me pas qenë në dijeni se për çfarë proteste bëhet fjalë. Për mua personalisht nuk i pranoj këto ligje, m’u martu gruja me gruan, burri me burrin, se Zoti nuk na ka kriju ashtu, e tash kundër Zotit.  Zoti i udhëzoftë. Në momentin që e kuptova u largova, me pas ditë nuk iu kisha bashkëngjitë, sinqerisht po të them.’’

Syri fotografik i Periskopit kapi një pamje interesante. Ishte figura e Skënderbeut e rrethuar me plot ngjyra.

Këtij eventi nuk i mungoi një fjalim frymëzues nga një prind i një fëmije gej.

”Një fjalë e urtë popullore thotë, Evladi është bujashka e zemrës dhe po është e vërtetë. evladi është pika e dobët zemra e çdo prindi. Unë jam shumë krenare për djalin tem, jam krenare për atë që është ai, jam krenare për çdo person LGBT”, ishte mesazhi i Shemsije Çerkinit.

Krejt në fund, u dëgjuan disa zhurma të mjeteve piroteknike, por jo diçka për t’u shqetësuar./PERISKOPI/