Si iu dha RASTËSISHT leja për terminal Margarita Kadriut në kohën kur u votua Thaçi President?

Si iu dha RASTËSISHT leja për terminal Margarita Kadriut në kohën kur u votua Thaçi President?

Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës, ka komentuar mbrëmë lidhur me akuzat se koalicioni qeverisës PDK-LDK ka blerë votën e deputetes Margarita Kadriu.

Kritikat janë drejtuar nga Ministria e Infrastrukturës që mori vendim për të licencuar terminalin e mallrave në pronësi të kompanisë City Park të Ruzhdi Kadriut, babait të deputetes Kadriu

Por Zharku mbrëmë në emisionin “Ekonomia me Erëzën”, në Kohavision , deklaroi se ai personalisht vetëm ka kryer obligim ligjor për licencimin e këtij terminali.

“Në realitet unë e kam kryer obligimin tim ligjor, në bazë të aplikimit të tyre. Kështu që çdo lidhshmëri tjetër me procese politike themi që është çështje e interpretimeve të ndryshme. Unë nuk mund ta ndali askënd, por unë kam zbatuar ligjin”, ka thënë Zharku duke shtuar se aplikuesit për terminal kanë respektuar kriteret e kërkuara për kryerjen e kësaj veprimtarie biznesore.

Zharku u pyet se pse ky vendim u mor pikërisht në kohën kur Thaçit i duhej prezenca e Kadriut në parlament për të bërë kuorumin për zgjedhjen e presidentit.

“Mund të jetë një koincidencë”, deklaroi Zharku.

Ai shtoi se kompania City Park ka aplikuar para një viti dhe se Ministria nuk i ka kthyer përgjigje.

“Kur kam ardhur unë në këtë ministri, aplikacionit të saj i ka skaduar afati. D.m.th nuk iu ka përgjigj ministria qysh para se unë të vija në ministri”, ka thënë Zharku.

Por pse më herët ndodhi që të skadojë afati i aplikacionit dhe tash të merret vendim për licencim, pikërisht në kohën e zgjedhjes së presidentit.

“Ajo mund të jetë koincidencë. Mund të jenë interpretime të lira, por kjo është koincidencë dhe çështja e besimit është perceptim dhe se unë nuk mund ta bind askënd që është kështu apo ashtu’’, ka shtuar Zharku.

 

Shpërndaje në: