‘Si m’i lypë qorrit sy’, ‘Si gra t’kqija’ – Pse në Kuvend vet përfaqësuesit e popullit po ofendojnë popullin

Periskopi.com Lajme

Aty ku duhet të promovohet gjithëpërfshirja, të shmangen paragjykimet dhe të jepet shembull në përdorim të gjuhës së drejtë…po bëhet e kundërta. Në Tempullin e Demokracisë, pra në Parlamentin e Republikës së Kosovës shumë shpesh për fat të keq dëgjojmë fyerje e ofendime nga ana e deputetëve karshi grupeve të margjinalizuara të shoqërisë…

I fundit që ia vuri pikën ishte deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, i cili gjatë seancës së djeshme ku po diskutohej për energjinë elektrike, ofendoi të verbërit që jetojnë në Kosovë, duke u shprehur  ‘’kjo është sikur me lyp prej qorrit sy’’.

E rëndë, apo jo lexues të dashur. Një përfaqësues populli në Parlament, që thirret në mbrojtjen e të drejtave, nevojave dhe interesave të tyre, është pikërisht ai që ofendon komunitete të caktuara të shoqërisë sonë, transmeton Periskopi.

Lidhur me këtë etiketim, pati reagime të ashpra në publik, madje për Periskopin foli edhe Daut Tishuki nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës , duke  dënuar gjuhën fyese të deputetit Basha por edhe duke e quajtur si një gjest të ulët nga ana e tij.

Natyrisht, diçka e pritur krejt vonë, z. Basha kërkoi falje publike. Megjithatë fjalia e tij mori dhenë deri atëherë.

Por ky nuk është rasti i parë që prej anës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes vijnë ofendime karshi anëtarëve të popullit. Është vet shefja e Grupit të kësaj partie në Kuvend, Mimoza Kusari-Lila që kishte lëshuar lapsuzin ‘’si gratë e kqija’’. Edhe kjo e rëndë, aq më tepër kur gratë ofendohen nga gratë.

Kur jemi tek mënyra se si politikbërësit u qasen personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, duhet ta përmendim edhe një deklaratë skandaloze të ish-deputetit Zafir Berisha. Ai gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit, në një postim të tillë, duke ia adresuar vet kryeministrit Albin Kurti kishte përdorur terme si në vijim: termin ‘’skenar djallëzor i një njeriu me aftësi të kufizuar mendore’’.

E për këtë, menjëherë kishte reaguar organizata HANDIKOS, e cila i kishte kërkuar ish-deputetit në fjalë që të distancohet nga një gjuhë e tillë ofenduese.

‘’Ne i bëjmë thirrje ish-deputetit Berisha që të distancohet nga kjo gjuhë e papërshtatshme dhe në sulmet politike apo të çfarëdo lloji tjetër të mos përdorë ofendime që atakojnë personat me aftësi të kufizuara.’’, thuhej në reagimin e HANDIKOS.

Krahas gjitha këtyre, organizatat e personave me aftësi të kufizuara në vazhdimësi u bëjnë thirrje politikbërësve, mediave por edhe vet qytetarëve në përgjithësi që të mos i etiketojnë si me ‘nevoja të veçanta’, ‘aftësi ndryshe’, ‘pa aftësi’ etj, sepse edhe këto konsiderohen ofendime të llojit të vet./PERISKOPI/