Si po bën propagandë Lulzim Basha për heqjen e tarifës në Rrugën e Kombit?

Si po bën propagandë Lulzim Basha për heqjen e tarifës në Rrugën e Kombit?

Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka dalë me një premtim që e përmend shpesh, atë të “heqjes së traut me Kosovën”, pra heqjen e pagesës së “Rrugës së Kombit”. Ky premtim është populist, bombastik, por në të gjitha rastet është i parealizueshëm, ndërkohë që politikisht, mënyra e trajtimit të kësaj çështje është mjaft e mjegullt.

Rruga e Kombit”, e cila u ndërtua thuajse e gjitha me fonde të buxhetit të shtetit, ku një pjesë të konsiderueshme të tyre, qeveria e mori kredi tregtare nga bankat e nivelit të dytë, u trajtua si një rrugë që kosto të lartë jo vetëm në ndërtim, por edhe në mirëmbajte.

Kjo jo vetëm të mirëmbajtjes së tunelit të Thirrës, i cili ka një nivel të lartë lagështire e kërkon një mirëmbajtje permanente, por edhe pjesë të tjera të kësaj rruge, e cila kalon në një terren me klimë të ftohtë e të egër.

Që prej kohës kur rruga u ndërtua, është folur që në të ardhmen e afërt do të jetë me pagesë, por që u shty për aspekte elektorale.

Revista Monitor shkruante në janar të vitit 2013, pra kur kryeministër ishte Sali Berisha, duke ju referuar Ministrisë së Transportit (linku bashkëngjitur https://ëëë.monitor.al/rruga-e-kombit-kete-vere-me-pagese-2/) se që në verën e atij viti, rruga Durrës-Kukës do të bëhet me pagesë.

“Ende nuk dihet me saktësi, por mendohet se tarifa e qarkullimit për automjetet e vogla do të jetë në kufirin e 5 eurove, ndërsa për ato me tonazh më të madh në rreth 10 euro”, shkruante Monitor në janarin e 2013-s.

Ndërkaq, koncesioni për “Rrugën e Kombit” nga qeveria “Rama” është firmosur në dhjetorin e vitit 2016, kur PD ishte ende në Kuvend.

Ndërkohë që PD, në atë kohë çoi në Gjykatën Kushtetuese të gjithë ligjet e reformës në drejtësi, përfshi edhe ligjin për Vettingut, nuk e dërgoi kontratën e Ministrisë së Transportit me koncesionarin për “Rrugën e Kombit”.

Dihet edhe manovra që kreu PD, kur u zbut pas protestës së ashpër, pak ditë pasi protestuesit dogjën kabinat e pagesës, por gjithsesi kjo i përket njërës anë të medaljes.

Ana tjetër e premtimit të Bashës, i përket aspektit real të zbatimit të premtimit të tij për “heqjen e traut”.

Nëse Lulzim Basha fiton zgjedhjet, vjen në qeveri dhe anulon kontratën, duke hequr pagesën e “Rrugës së Kombit”, vërtetë përdoruesit mund të mos paguajnë, por do të paguajnë të gjithë shqiptarët, pasi do të paguhet gjoba e majme që mund të vendosë Arbitrazhi Ndërkombëtar, si pasojë e prishjes së njëanshme të kontratës.

Në një sistem si i yni, marrëveshjet të shtetit apo qeverisë me kompani të ndryshme, kanë fuqi juridike dhe si të tilla ata nuk mund të rrëzohen brenda afatit që përcaktohet në marrëveshje, vetëm nëse ka marrëveshje mes palëve.</p>

Përndryshe çmimi do të ishte shumë i lartë për qytetarët shqiptarë, që do të paguajnë gjobat që mund të vendosë Arbitrazhi në këtë rast.

Asnjëherë nuk ka pasur deri më sot një prishje marrëveshje të njëanshme siç pretendon Basha

Në fushatën elektorale të vitit 2005, Sali Berisha, atëherë lider i opozitës, premtoi rrëzimin e kontratave të qeverisë së Fatos Nanos për privatizimin e Albtelecom dhe të Bankës së Kursimeve.

Për të dytën as nuk e vuri ujin në zjarr kur erdhi në pushtet, kurse për të parën, vërtetë e anuloi kontratën me votë në Kuvend, por pas një kohe shumë të shkurtër e miratoi sërish shitjen tek kompania turke Çalik

Kjo sepse turqit kërcënuan me arbitrazh ndërkombëtar, që mund të kishte një çmim shumë të kripur për shtetin shqiptar. Pra anulimi rezultoi një flluskë sapuni.

Në vitin 2009, qeveria e Sali Berishës privatizoi Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë OSHE tek kompania çeke CEZ.

Në vitin 2012, qeveria “Berisha” merr vendim për të përzënë çekët e CEZ dhe vendosi në krye të kompanisë një administrator të sajin.

Por kompania mbetet çeke dhe këta të fundit e hedhin çështjen në arbitrazh ndërkombëtar.

Në vitin 2013, pasi fiton zgjedhjet, qeveria e Edi Ramës vendos që të anulojë privatizimin e OSHE, duke e kthyer këtë ent në pronësi të shtetit

Rama ngarkoi Damian Gjiknurin, ministrin e Energjetikës që të kryejë një sërë negociatash me CEZ për një “marrëveshje xhentëlmenësh”, në mënyrë që çështja të mos shkonte në arbitrazh dhe shteti pagoi 100 milionë euro “dëm kolateral” për kompaninë CEZ.

PS dhe Edi Rama, deklaruan në fushatën zgjedhore të 2013 se do të anulojnë koncesionin korruptiv të skanimit të doganave apo edhe koncesione të tjera, por nuk i realizoi dot.

Këtë e ka deklaruar disa herë vetë Rama, i cili ka përmendur faktin e rrezikut të arbitrazhit. Pra ndryshe tha në fushatë dhe ndryshe në realitet.

Qeveria “Rama” bëri vetëm një marrëveshje me negocim me kompaninë për të ulur tarifën, por që më pas rezultoi se diferenca do të paguhej nga buxheti i shtetit.

Realisht, asnjë qeveri nuk ka anuluar kontratat juridike, si Berisha e si Rama.

Premtimi i sotëm i Lulzim Bashës është vetëm propagandë, që edhe nëse fiton zgjedhjet do të justifikohet duke thënë se nuk mund ta anulojë ngaqë rrezikon arbitrazhin.

Maksimumi që mund të bëjë është ndonjë dredhi që me negocim të ulë pagesën, duke e bërë që një pjesë t’ia japë ‘cash’ kompanisë nga buxheti i shtetit, siç ka bërë edhe Rama.

Megjithatë, ka shumë gjasa që edhe në Kosovë sapo të qetësohen ujërat, mundësisht pas zgjedhjes së presidentit apo zgjedhjeve të reja, edhe pjesa e tyre e “Rrugës së Kombit”, aksi Vërmicë- Prishtinë të bëhet me pagesë, pasi këtë e ka bërë të ditur prej kohësh autoriteti që merret me mirëmbajtjen e autostradës.

Dhe atëherë, siç ka ndodhur edhe herë të tjera, edhe ky premtim të shkrihet si kripa në ujë

Shpërndaje në: