Si po ia del Zelanda e Re ta mposht variantin Delta?

Periskopi.com Lajme

Para më pak se një muaji, zelandez-rinjtë u zhdukën në shtëpitë e tyre, duke u hequr nga fusha publike si uji i derdhur në sfungjer. Autostratat, rrugët e qyteteve dhe sheshet u zbrazën, dyqanet u mbyllën, shkollat u braktisën. Ishte kapur rasti i parë i variantit Delta dhe qeveria bëri thirrje për mbyllje të nivelit 4.

Ishte kërcënimi i ri për vendin ku menaxhimi i pandemisë ishte vlerësuar si më i miri globalisht.

Zelanda e Re kurrë s’ishte përballur me shpërthimin e Deltas më parë, dhe askush s’e dinte nëse strategjitë e kaluara do t’ia dilnin mbanë, shkruan Guardian, përkthen Periskopi.

Dhe, megjithëse pati probleme në fillim, Zelanda e Re po ia del edhe me variantin Delta.

“Duket shumë mirë për dhënien fund të këtij shpërthimi,” thotë profesor Michael Baker, epidemiolog dhe ekspert i shëndetit publik.

Qëllimi për Zelandën e Re është shumë ambicioz. Ata mësyjnë jo  vetëm që ta lehtësojnë rritjen e rasteve, por ta ndërpresin krejtësisht, duke i çuar numrat në zero.

Pasi kulmi u arrit në fund të gushtit me 83 raste në dit, tashmë ka një ulje – numrat ditorë nuk po kalojnë as 21. Në mes të javës ata ranë në 15 raste, më pas në 13 dhe tash në 11.

Për dallim nga Zelanda e Re, Kosova gjatë gjithë verës kishte qenë krejtësisht e hapur përkundër dyndjeve të mëdha të mërgimtarëve në  vend. /Periskopi