Si po shesin hakerat të dhënat e e-Albania: Një gigabite informacione, shitet 0.05 bitcoin!

Si po shesin hakerat të dhënat e e-Albania: Një gigabite informacione, shitet 0.05 bitcoin!

Sulmi është marrë përsipër nga grupi Home Land Justice, i njëjti që mori përsipër sulmin ndaj platformës qeveritare e-Albania dhe publikoi materiale të hakeruara nga kjo platformë. Sulmin ndaj sistemeve të policisë që nisi rreth orës 22:00 të së premtes, ky grup hakerash e paralajmëroi në një grup të hapur në rrjetin Telegram, duke publikuar një fotografi.

Më pas, kur sistemi TIMS dhe sistemet Adam, MEMEX, dhe menaxhimi i çështjes kishin rënë në të gjithë njësitë policore në vend, po në këtë rrjet social, hakerat publikuan një video më shumë se 6 minuta nga kamerat e sigurisë në aeroportin e Rinasit. Pamjet ishin regjistruar brenda kabinës së një punonjësi të policisë kufitare që po kryente procedurat për hyrje të qytetarëve në Republikës së Shqipërisë. Në orën 22:04 të datës 9 shtator ndërkohë që punonjësi i policisë po kryente veprimet, sistemi bllokohet dhe polici më pas vetëm fotografon pasaportat e personave në radhë.

Top Channel ka kontaktuar me këtë grup hakerash, të cilët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë çdo javë me publikimin e të dhënave të marra nga sistemet shqiptare. Jo vetëm kaq, por të dhënat e përftuara nga e-Albania ata i kanë nxjerrë në shitje ku një gigabite informacione shitet 0.05 bitcoin.

Në komunikimin e fundit, mëngjesin e kësaj të hëne, ata thanë se edhe të dhënat e përftuara nga TIMS ata ua kanë shitur disa personave në Shqipëri dhe kjo dihet nga ana e qeverisë. Ata paralajmërojnë se shumë shpejt do të publikojnë të dhëna që do t’i hapin telashe qeverisë shqiptare.

Në grupin e hapur në Telegram, ata publikojnë materiale me të dhënat që marrin nga qeveria shqiptare dhe jo vetëm. Sipas Bezat, ata kanë në dorë një databazë më më shumë se 2 milionë numra celularë, kryesisht të kartave të regjistruara në Shqipëri.

Po ashtu, në datën 9 shtator, kanë shpërndarë një foto ku thonë se “kaosi do të bjerë mbi Tiranën”. Një ditë më vonë, në datën 10 shtator, ata kanë publikuar pamje nga kamerat e sigurisë në aeroportin e Rinasit.

Gazetarja, në një lidhje live për “Top Story”, thotë se hakerat i kanë ofruar ta shesin databazën e të dhënave, por vetëm nëse pagesën e bën në Bitcoin.

Sipas tyre, këto sulme po i bëjnë për të nxjerrë në pah korrupsionin e qeverisë dhe komunikimin me gazetaren Dorjana Bezat e kanë ndërprerë pasi e akuzojnë se është gazetare pro qeverisë.

Sulmi kibernetik ndaj TIMS, sistemi ende i ngadaltë

Megjithëse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga sulmi kibernetik ndaj sistemeve të policisë, ato nuk janë akoma kthyer totalisht në normalitet.

Grupi i hakerave vijon të publikojë video ku tenton të tregojë se është një hap para autoriteteve dhe se ka akses të kamerave të aeroportit dhe sistemeve të policisë.

Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e këtij sulmi ka dedektuar në sistem ndërhyrje nga 18 IP që i përkojnë 18 vendeve te ndryshme.

Policia shqiptare u ka nisur letër-porosi këtyre vendeve për të shkuar tek autorët e këtij sulmi.

Shpërndaje në: