Si të mbrohemi nga populizmi?

Si të mbrohemi nga populizmi?

Kodi i deshifrimit të politikave qeverisëse të VV-së dhe të Kurtit gjendet në të kaluarën e tyre populiste. Detyra e opozitës është që me këtë kod ta demaskoj dhe parandaloj qeverisjen populiste pandalshëm. Kjo do të thotë ta mbrosh qytetarin dhe Kosovën nga majtizmi populist me demokraci dhe pragmatizëm. Kjo mund të marr kohë, sepse është koha e populistëve.

Nëse me parime dhe qëndrime të caktuara politike, një parti merr vota nga qytetari, pra i fiton zgjedhjet, e mandej këto parime e qëndrime të njëjta duke qenë në qeveri, i shkel i tradhton dhe nuk i zbaton, ato vota e ato simpati duhet të humben me patjetër dhe atë në emër të demokracisë. Detyra e opozitës është që ta demaskoj këtë politikë jo parimore dhe ta bëj këtë sa më shpejt e sa më bindshëm. Qeveria Kurti ende pa i mbushur 100 ditë ka shkelur të tilla parime në mënyrë të pamoralshme të pëçudnume dhe shumë jo të zakonshme. Disa këtë diskrapancë mundohen ta justifikojnë me faktin se pritshmëritë nga Qeveria aktuale janë shumë të larta, sepse zhgënjimi i qytetarit të Kosovës qe 20 vite ka qenë  i jashtëzakonshëm. Jo në të vërtetë nuk është kështu. Pritshmëritë nga Qeveria Kurti janë shumë të larta sepse, VV dikur në opozitë, që ta ngris dhe bëj më të bindshme akuzën ndaj të tjerëve, ka aranzhuar qëllimshëm dhe me djallëzi pritshmëri krejt extraordinere. Pse ? Sepse, sa më shumë që i ka ngritur pritshmëritë si standarde politike VV-ja në opozitë, aq më të rrepta e besa edhe më bindëse janë dukur akuzat ndaj qeveritarëve të ndryshëm. Por ja që tani kjo i kthehet bumerang Qeverisë Kurti. Dhe kjo nuk do të ketë të ndalur. Sepse sa më pak i plotëson ato prishtshmëri të vendosura dje, aq më i madh dhe më shpejt rritet zhgënjimi për Qeverinë Kurti sot. Prandaj edhe skeptikët më të mëdhenjë çuditen këto ditë me gabimet dhe axhamillëkun e shumtë dhe të shpejtë në qeverisje. Thjeshtë demokracia nuk e duron mashtrimin, apo së paku nuk mund ta duroj gjatë. Kur populizmi me mashtrim e dhunon demokracinë dështimi si akt i parakohshëm është rrejdhë normale e demokracisë. Dhe detyrë e opozitës është që ta mbroj progresiven nga e reja regresive, thjeshtë ta mbroj demokracinë. Disa të tjerë thonë se VV dhe Kurti nuk janë të marrë dhe do të ndryshojnë dhe duhet të ndryshojnë, sepse (u konë çka u konë) tani gjenden në rrethana të tjera, tani VV qeverisë dhe Kurti është Kryeministër. Ka një problem këtu dhe shumë të madh bile. Në të vërtetë Kurti dhe Qeveria e tij nuk do duhej të ndryshoj aspak. Sepse duke premtuar e pasur qëndrime e vlerësime të cilat i ka pasur në opozitë, ai ka fituar vota, shumë vota. Nëse ndryshon po i bije që ka mashtruar, që nuk ka qenë realist apo edhe më saktë ka qenë populist. Prandaj opozita ka obligim që çdo ndryshim të tij në raport me parimet, qëndrimet e vlerësimet t’i konvertoj në humbjen e votave, të simpatisë dhe mbështetjes së kësaj Qeverie. Nëse dikush pas kësaj që vlerësova, konstaton se, kjo do të thotë të merresh e të mbetesh në të kaluarën e VV-së dhe të politikës në përgjithësi, e ta harrosh të tashmen, unë ju përgjigjem se, pa këtë segment, pra pa e kuptuar populizmin e VV-së në opozitë, pa e sjell në vëmendjen e qytetarit vazhdimisht, nuk mund të kuptohet populizmi i saj në qeverisje. Prandaj kodi i deshifrimit të politikave qeverisëse të VV dhe të Kurtit gjendet në të kaluarën e tyre populiste. Detyra e opozitës është që ta demaskoj populizmin në Qeveri pandalshëm. Kjo do të thotë ta mbrosh qytetarin dhe Kosovën nga populizmi dje, sot dhe nesër, me demokraci.

Krejt kjo që thash nuk është krej. Në të vërtetë do të mbetet shumë e mangët po nuk konstatova se, nëse opozita nuk gjenë forcë që të bëj ndryshime të mëdha kadrovike dhe ideore, detektorët e tij opozitar nuk do ta detektojnë populizmin e Qeverisë, sepse edhe ajo pavetëdijshëm do të sharroj në vorrbëllën e neveritshme populiste. Kështu, qytetari i Kosovës më lehtë do ta gëlltit rrenën e populistëve të rafinuar në Qeveri, sesa të vërtetën opozitare të pareformuar. Prandaj para se opozita ta mbroj Kosovën nga populizmi me demokraci, duhet ta kuptoj drejtë se nuk ka demokraci në taborin e humbësve, pa reforma ideore dhe kadrovike për t’i mundur populistët e pariparueshëm.

Shpërndaje në: