Situata në Veri, Ambasadori Hovenier në takim me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti

Situata në Veri, Ambasadori Hovenier në takim me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti

Tensionet në veri kanë mbledhur bashkë në këto qaste Presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, me dy zëvendësit e tij, janë në një takim të jashtëzakonshëm me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Lajmin e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar i Presidentes Osmani.

Kryeministri Kurti i është drejtuar popullit më herët, pasi nisi vendosja e barrikadave në veri të vendit.

Ai tha se trazirat po i nxit presidenti serb, Aleksandër Vuciq dhe vartësi i tij, i cili drejton një të ashtuquajtur zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq.

Para pak minutash ka reaguar edhe Presidentja Osmani. Ajo thotë se Policia e Kosovës po punon pa ndaluar që të garantohet respektimi i ligjit dhe liria e lëvizjes. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se veprimet janë duke u marrë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë mbyllur pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve që të cojnë në këto dy pika. Në veri ka nisur bllokimi i rrugëve me kamionë, një orë pasi u dëgjua alarmi i qytetit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nga 1 gushti do të hyjë në fuqi vendimi për reciprocitet me Serbinë, për cështjen e njohjes së dokumenteve. Tensionet nisën pak orë para se të hyjë në fuqi vendimi.

Prej të hënës, në Kosovë, shtetasit serbë që prezantojnë në kufi dokumente identifikuese të lëshuara nga Serbia, do të pajisen me një dokument “hyrje/dalje”. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Shpërndaje në: